Të tjera përgjime janë zbardhur nga bisedat e Ajola Xoxës dhe kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj, ndërsa ky i fundit qëndron në burgun e Durrësit.
Sipas dosjes, Xoxa po tenton t’i shmanget ambasadës amerikane ndërsa Veliaj i thotë se sa të vijë Aleksi (që dyshohet të jetë Alex Soros) do të rregullohen gjërat dhe s’ka nevojë të japë llogari.
Në datën 18 shkurt të vitit 2025, Ajola Xoxa vë në dijeni Erion Veliajn se Konsullata Amerikane i ka kërkuar që në datë 19 shkurt të 2025-ës të paraqitet tek Ambasada Amerikane në Tiranë.
“18.02.2025
Në orën 16:00, shtetasja Ajola Xoxa kontaktohet nga Konsullata Amerikane, nga ku i kërkohet të paraqitet në datë 19.02.2025 pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë. Ajola Xoxa e informon se për shkaqe shëndetësore e ka të pamundur dhe e lënë për të biseduar për një datë tjetër”, thuhet në përgjime.
Në një tjetër përgjim pikërisht në datën 19 shkurt 2025, Veliaj bisedon në lidhje me thirrjen e Ajola Xoxës në Ambasadën Amerikane ku i thotë se nuk ka pse të shkojë t’u japë llogari palëve të një shteti tjetër.
Nga përgjimet e bisedave të Veliajt, të bëra publike ditën e sotme dalin në dritë detaje të tjera nga koha përpara seancës në GJKKO, ku Veliaj shpresëplotë, priste të lirohej.
Teksa zhvillonte telefonatën me vëllanë, Arbër Veliajn nga qelia, kryebashkiaku e orientonte atë të mbante lart presionin në media, gjë që sipas tij do të ishte vendimtare në 13 mars, ditën kur u zhvillua seanca.
Pjesë nga dosja e përgjimeve e bërë publike nga CNA.al.
Në orën 20:17, Erion Veliaj bisedon me Arbrin dhe e pyet nëse amerikanët (avokatët) e arrijnë datën 11 (data e zhvillimit të seancës së Apelit). Arbrit i tregon se po mundohet të lidhet me ta dhe me shumë gjasa do të jenë në Shqipëri. Erion Veliaj i kërkon gjithashtu që ata të bëjnë një intervistë te Top-i. Ndërkohë, Arbri e njofton edhe në lidhje me konferencën e avokatëve, e cila është lënë të bëhet të nesërmen në orën 14:00, “off camera” “on record”, që gazetarët t’i prodhojnë vetë lajmet. Arbri i tregon se takimi do të quhet “takim informative me avokatët e familjes Veliaj”. Në bisedë, Erion Veliaj i kërkon që “duhet mbajt presingu lal se dita e martë është e pandryshueshme, kshu që katër ditë kemi’. “three days to freedom”. I kërkon Arbrit që “edhe thuaj të merret içik me kuç e me maç kush po ndjek gjëra?”