CNA prej katër ditësh ka sjellë të zbardhura përgjimet nga Paraburgimi i Durrësit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.
Një detaj që evidentohet nga kjo dosje është gjuha e ashpër dhe kërcënuese me të cilën Erion Veliaj flet me Ajola Xoxën dhe Arbër Veliajn për ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja. Veliaj e quan Manjën qelbësirë, katundar i ndyrë dhe thotë se do ta mbysë me thonj.
Në përgjimet e publikuara më herët treguam se Erion Veliaj i kërkon bashkëshortes së tij Ajola Xoxës dhe vëllait të tij Arbër Veliaj që të flasin me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja që të mos transferohet në një IEVP tjetër dhe të shmangë kontrollet që i bëjnë në dhomat e paraburgimit.
Për këtë ka kërkuar nga Ajola Xoxa dhe Arbër Veliaj që të angazhojnë të gjithë të njohurit dhe miqtë, shtetasit Mero dhe G.S. që t’ia kërkojnë këtë gjë Ministrit të Drejtësisë.
Në përgjimet që do të sjellim më poshtë tregohet se Erion Veliaj i frikësohet një transferimi në një IEVP në Tiranë me “high security” që Veliaj e quan Alkatraz.
Sipas përgjimeve më 21 shkurt, ora 10:46 Veliaj bisedon me Arbër Veliajn dhe shprehet i shqetësuar pasi i kanë thënë që të bëjë gati çantat për tu transferuar në një IEVP tjetër, ndaj kërkon që Arbri të telefonojë Meron (Mero Bazen) dhe Gent Sulën që të gjithë të merren me “Dibranin” e t’i thonë “boll se e ke tepruar” referuar ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja.
Në bisedën me Ajola Xoxën, Erion Veliaj i kërkon edhe asaj që të telefonojë Genti Sulën dhe Meron dhe t’iu tregojë se po insistohet për transferimin e tij dhe që bisedën Genti Sula dhe Mero t’ia bëjmë si nder personal pasi ai po luan mendsh.
Më 21 shkurt, në orën 15:25 mes Veliajt dhe vëllait të tij Arbër Veliaj tregohet se ai i frikësohet një transferimi në një IEVP në Tiranë me “high security” që e quan Alkatraz.
Kryebashkiaku e quan këtë një çmenduri dhe i kërkon që të flasë me “njerëzit’.
Edhe më 24 shkurt në një bisedë të orës 15:33 me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, Veliaj i thotë se ka sërish lajme që mund të transferohet te burgu i Alkatrazit.
Veliaj thotë se nuk e di se kush po flet me miqtë e Drejtësisë, pasi punonjësit dhe personeli në IEVP-në Durrës po i njofton se po happen vende për t’u transferuar dhe se kjo është gjë e “ndyrë” pasi i janë privuar të drejtat dhe transferimi do të ishte i tepërt.
Më 8 mars në orën 11:09 Veliaj bisedon me Arbrin në lidhje me kontratën me avokatët amerikanë për të cilën Veliaj e pyet që si ka mundësi që u bë publike. Arbri shprehet se kontrata ka kaluar shumë institucione dhe është transparente.
Në lidhje me vizitën e Joshua Roberts në IEVP-në e Durrrësit. Arbri i thotë se vizita do të bëhet të hënën.
Kujtojmë që vizita u kryë të hënën më 10 mars 2025, një ditë para seancës maratonë të Veliajt në Apelin e GJKKO-së që zgjati tri ditë.
Më 9 mars ora 11:58, Veliaj bisedon me Arbrin dhe pas këshillës së këtij të fundit që mos të përmendë emra, flet anglisht duke thënë se ka vetëm një ditë kohë dhe nëse nuk fitojnë do të jetë në IEVP për shumë gjatë.
Veliaj kërkon që avokatët të përgatiten mirë para amerikanëve me argumente.
Kujtojmë që Joshua Roberts tha se në këtë rast ishte thjesht një konsulent ligjor dhe jo avokat.
Joshua Roberts në seancën e 11 marsit 2025 në Apelin e GJKKO nuk u lejua të merrte pjesë në seancë nga gjyqtari Engert Pëllumbi./ CNA