Ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Malaj ka njoftuar ditën e sotme tërheqjet e tij nga studiot televizive.
Malaj është shprehur ndër rreshta se vendimi për tërheqjen e tij nga pjesëmarrja fizike në debatet televizive, ka ardhur si pasojë e kohës së madhe që kërkohet për përgatitje, udhëtime dhe pritje, krahasuar me kohën reale të kontributit në diskutime.
“Pas daljes në pension, kam zgjedhur të vazhdoj kontributin tim publik përmes shkrimeve,” shkruan Malaj, duke theksuar më tej se që nga viti 2021 ka punuar në 6 libra, prej të cilëve 3 janë tashmë të botuar dhe tre të tjerë janë në proces.
Malaj ka siguruar se do të vazhdojë të kontribuojë në debatin publik përmes artikujve në median e shkruar dhe platformave online, duke trajtuar çështje me rëndësi për zhvillimin ekonomik, social dhe politik të Shqipëri në kontekstin e integrimit europian.
“Koha ime është gjithnjë e më e çmuar. Prandaj kam zgjedhur këtë rrugë për të qenë më efikas në kontributin tim publik,” përfundon mesazhin e tij Malaj.