Parashikimi i zgjedhjeve: zbulohen 4 qarqet që përcaktojnë fituesin. Shkodra, surpriza e madhe!

Nëse PD do të ishte në një listë garuese me LSI në zgjedhjet 2021, Rama nuk do të kishte fituar shumicën qeverisëse. Rezultati, pak a shumë, do të ishte: PS 70 mandate, PD-LSI 67 mandate, PSD 3 mandate. Tomë Doshi, rrjedhimisht, do të ishte përcaktuesi i qeverisë.

Loja ka ndryshuar për zgjedhjet e 11 majit. PD dhe Partia e Lirisë janë në një listë garuese. Kjo do të thotë se votat do të bashkohen në një kosh më të madh në secilin prej 12 qarqeve, duke shtuar shanset që koalicioni opozitar të fitojë disa mandate më shumë.

Le të bëjmë një prognozë të rezultateve, duke u bazuar te zgjedhjet 2021:

Rama humb dy mandate – Qarku Korçë kësaj here ka 10 mandate, një më pak se zgjedhjet e kaluara, kur PS fitoi 6 mandate dhe PD 5. Duke qenë se opozita garon në një listë të përbashkët, votat e Partisë së Lirisë ‘nuk shkojnë dëm’. Bazuar në shifrat e 2021, votat në këtë qark janë kryesisht të barabarta, që do të thotë se Rama në Korçë do të humbasë një mandat. Pra, PS dhe PD do të marrin nga 5 mandate secila. Kjo pritet të ndodhë edhe në Gjirokastër. PS fitoi 3-1 në 2021, me opozitën të ndarë në dy lista. Me një llogari të thjeshtë, gjasat janë që më 11 maj rezultati të jetë 2-2. Edhe në këtë qark, Rama do të humbasë një mandat.

Frontet e betejës – Duke ndjekur logjikën e bashkimit të opozitës në një listë, qarqet ku Rama mund të humbasë nga një mandat më 11 maj janë Berati, Vlora, Durrësi dhe Lezha. Nëse Berati në vitin 2021 u nda 5-2 për maxhorancën, kësaj here mund të kemi një ngushtim të rezultatit në 4-3. Nëse Durrësi në vitin 2021 u nda 8-6 për maxhorancën, më 11 maj mund të kemi një barazim 7-7. Nëse Lezha në vitin 2021 u nda 4-3 për opozitën, pas një muaji mund të shohim thellim të avantazhit në 5-2. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe në qarkun Vlorë, ku maxhoranca në 2021 fitoi 8-4, por kësaj here rezultati mund të shkojë në 7-5.

Kujdes! Kjo është thjesht një logjikë e thjeshtë matematikore, duke llogaritur faktin se opozita këtë vit ka bashkuar forcat duke garuar në një listë. Askush nuk e di temperaturën e momentit në këto qarqe. PD ka edhe mangësi në formacionin e saj, duke qenë se Shehaj, Alibeaj-Shehi dhe Basha garojnë më vete. Një dëm të madh mund të sjellin edhe partitë e tjera të reja (Lapaj e Qori). Ajo që dihet me siguri është se këto do të jenë 4 qarqet vendimtare.

Të paparashikueshmet – Qarqet ku është e vështirë të bësh parashikime janë Shkodra dhe Fieri. Në 2021, PS fitoi 3 mandate në Shkodër, por kësaj here Agron Çela (ish-LSI) është i angazhuar me socialistët dhe pritet të fitojë një mandat. Ai nuk garon vetë, por përfaqësohet nga e bija. Çela zakonisht fiton shumë vota në Shkodër, gjë që avantazhon Ramën. Pra, PS më 11 maj mund të fitojë 4 mandate në Shkodër, një më shumë se në 2021.

Një qark tjetër i paparashikueshëm është Fieri. Në 2021, PS fitoi 9 mandate, PD 6 dhe LSI 1. Këtë vit, beteja Balluku-Bardhi do të jetë interesante, por socialistët duken të avantazhuar, sepse Fieri është qarku me më shumë emigrantë të regjistruar nga diaspora, me rreth 30 mijë qytetarë. Socialistët janë treguar më aktivë për votat e diasporës dhe, duke qenë se Fieri është qark historikisht i majtë, nuk pritet që opozita të ngushtojë disavantazhin.