Kryesocialisti Edi Rama, teksa po fliste për rëndësinë që PS i ka dhënë grave dhe vajzave, tha se është i bindur që nuk do të jetë e largët dita kur Shqipëria do të ketë një grua kryeministre.
“Sot kuvendi drejtohet nga një grua socialiste, e cila zëvendësoi një tjetëtr grua socialiste. Jam i bindur që nuk është aq e largët dita sa mund të dukej deri dje kur Shqipëria do të jetë edhe gruan e parë kryeministre, dhe as nuk e diskutoj fare se do të jetë socialiste. Shikoni se si kemi rritur pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në kuvendet vendore në këshillat bashkiakë ku ka qenë PS gjatë gjithë kohës, që ka tërhequr të tjerët dhe kur në mënyrë të vazhdueshme ne e kemi vënë si kusht për të kaluar më tej në miratimet e ligjeve zgjedhore”, u shpreh Rama.
Ai gjithashtu iu përgjigj akuzave të opozitës se PS ka lidhje me krimin.
Ai tha se këto deklarata vijnë nga ata që kanë vrarë në Bulevard duke iu referuar 21 janarit dhe Sali Berishës.
‘I them atyre që ju bien fyellit prej shumë vitesh në të njëjtën vrimë, se kjo parti ka mbështetjen e krimit prandaj është e pathyeshme dhe këtë e thonë njerëz që kanë vrarë në bulevard me pushkët e shteti apo ata që mllefin e kanë si motiv për tu zgjuar në mëngjes. Askush asnjëherë më parë nuk e ka luftuar korrupsion si kemi bërë ne dhe e dyta ata le të vazhdojnë që ti bien atij fyelli. Arsyeja pse ne jemi të pathyeshëm është se jeni dhe bëheni gjithmonë e më shumë ju, gratë dhe vajzat e armatës sonë fitimtare. Keni 71 përfaqësuese në skuadrën e 11 majit.
Zamira në listën e Vlorës që erdhi nga kampi tjetër nuk është një rastësi dhe asnjë rast i veçuar i një momenti elektoral. Ndërkohë që vajza nga kampi tjetër janë bashkuar PS edhe në disa qarqe të tjera dhe unë ju them që s’do të bëhen kurrë pishman. Në na thanë se dinim se PS, ishte kështu dhe i them s’keni parë gjë akoma’, tha ai.