“Laert Vasili, heroi tipik i kohës sonë”, Viktor Zhusti bën shkrimin e fortë për banorin e Big Brother, thote gjerat qe asnjë si dinte

NGA VIKTOR ZHUSTI

(Ese në vend të një emisioni të refuzuar)

Duke kërkuar disa shën ime në librin “21 leksione për shekullin e 21” të Yuval Hararit (ua rekomandoj, jo ngaqë është libri më i shitur në historinë e letrave, por, si privilegj për të njohur e komunikuar me një nga mendjet më të ndritura të shekullit tonë), ndesha në raftin e bibliotekës sime, të vjetrin e faqezverdhur të viteve studentore: “Një hero i kohës sonë” të Pushkinit.

Harrova për një çast Hararin, nisa ta shfletoj e mes kujtimeve që më zgjoi, ngriti kryet pyetja:

– A ka dhe koha jonë një hero?

I thellë dhe i vështirë për ta kapërcyer m’u duk hendeku që sajoi mendja këtë çast, pasi, fillimisht, duhet të paraprijnë ca të tjera pyetje si:

– Ç’kuptoj me termin “koha jonë”?

– Cilat janë kërkesat dhe pretendimet e kësaj kohe?

– Ç’prototipa ka krijuar dhe që e përfaqësojnë atë?

Edhe nëse këto pyetje do kishim marrë udhë (shkaktove erën, prit stuhinë), hendeku do thellohej më tepër nga vërshimi i një varg pyetjesh të tjera, si:

-Në ç’fushë?

-Nga e si u krijua?

-Për ç’vepra?

E, si për ta ngatërruar më tepër këtë ekuacion, do shtohej edhe pikëpyetja e madhe: “Duhet të dish në ç’kohë jetojmë që të mësosh se cili është heroi i saj, apo duhet të njohësh heroin për të marrë vesh se në ç’kohë jetojmë”?

E keqja më e madhe në këtë udhëkryq dilemash, nuk kisha pranë as mikun dhe kolegun tim, Laertin, me të cilin diskutoj herë pas here, ngaqë njoh dhe respektoj formimin dhe aftësitë e tij. Kishte rënë në një “kurth” televiziv. Ashtu i vetëm, siç ndodh shpesh në teatër, kur për të krijuar një atmosferë meditimi: dritat zbehen, lëshohet një fjollë tymi, dëgjohen ca nota legato në telin Sol… edhe mendja ime u përhumb dhe nisi të tjerrë… Kur je i “mbyllur”, qoftë në BBV4, a në cilindo nga të mëparshmit, në Burgun 313 të Tiranës, a çdo qyteti tjetër, në Psikiatri, a cilindo pavion tjetër, bota të ngushtohet në raport me hapësirën ku je izoluar. As që merr vesh se ç’ndodh e si gjykohesh nga jashtë, sikurse dhe ata jashtë, as që kuptojnë se ç’kurdiset në të vërtetë atje brenda. Lidhja midis dy botëve (asaj jashtë e tjetrës brenda), ndërpritet.

Komunikimi, zero. Informacioni i vetëm vjen nga “racioni” që të jep moderatori, gardiani, infermieri… pasi nuk vendos dot ti, je i ndërvarur, nuk je zot i vetes, nuk ke mundësinë dhe lirinë, e jo më luksin të luash. Je kthyer vetë në lodër. Njerëzit presin, shohin, argëtohen, pozicionohen, shajnë, lëvdojnë, mbrojnë, përbuzin, mohojnë, zilepsen, adhurojnë… por asgjë nga këto nuk hyn atje brenda që të mund ta kurdisësh orën sipas kohës reale.

Të kanë mbyllur që të mos “ndikohesh”, por ata jashtë, ata që mbushin shkallët e cirkut, presin me padurim, ndeshje, garë, nerva, lot, konflikt, thirrje, decibel, ulërima… Normalja s’ka efekt. Logjika s’ka interes. Urtësia prish punë. Zot, na ruaj mendjen! “Marrëzia dhe mençuria, – shkruan D. Agolli, – flenë në një shtrat, puna është se cila zgjohet më herët”. Për vete, nuk kam pasur asnjëherë pikëpyetje se cila zgjohet më herët tek Laerti, pasi ato nuk i ka vënë kurrë në gjumë. Rruga plot kthesa e jetës, marrëdhënia me njerëzit, teatri, përvoja… më ka bërë të kuptoj që njeriu nuk ndryshon. Dhe Laerti, këto 25 vjetët e fundit që njihemi nga afër, nuk ka ndryshuar karakter e karakteristika, veç i ka theksuar. Jeta, gjithashtu me ta treguar (dhe jo një herë) që, sado të jesh i bindur që e njeh dikë, mos beso kurrë se e ke njohur deri në fund. Jo! Asnjëherë! Jo dorën në zjarr! Për asnjë! Këtë ma vërtetoi dhe miku im, në BBV4, nga një sërë të papriturash befasuese. M’u duk i gabuar vendimi i tij për t’u futur atje, ndonëse edhe BB, një lloj teatri është, i ngjashëm me “Happening Theatre”, aq në modë në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, por u zhgënjeva dhe mbeta i shushatur, kur pashë sa mirë e njeh ai veten dhe sa mjeshtërisht e zotëron “artin e lojës”.

Ndonëse nuk e kam ndjekur rregullisht, për shkak të provave intensive me “12 burra të zemëruar”, por, nga disa seanca në TV, postime në FB e “Instagram”, portokallizimi i shkëlqyer dhe diskutimet e pafundme plot pathos nëpër rrugë e kafenera, kam ndjerë që shkakton një cunam shurdhues. Diskutimet janë sa miratuese, aq edhe mohuese, e kur në këtë mes futet dhe anësia, acarimi dhe grindjet, i konkurrojnë ato për politikë. Mund të thuash ç’të duash, por që nuk jemi të “angazhuar”, e thua dot?! Që Laerti është i mprehtë e i kulturuar, kolegët e dinë dhe e respektojnë, tani përmes BBV4, e mësoi krejt shqiptaria. Përdora termin “shqiptaria”, pasi miku im, jo vetëm e pëlqen dhe e konsumon si fjalë, por e ka edhe kartë që e luan me shpirt e forcë, pa lënë t’i shpëtojë rasti. Ndikon, ndoshta, në këtë formim edhe prejardhja (të dy prindërit, njerëz të librit dhe të armëve). Nëna e tij dhe e njohura ime familjare, zonja e nderuar Reveka (dikur me gradën Major), në takimin “surprizë”, si në tragjeditë të antikitetit, duke deklamuar plot pathos, e thirri: “Kapedan”, pasi ajo, si çdo nënë, kujton se ka lindur një hero. Në të vërtetë ka lindur një aktor.

Laertit, në BBV4, i është dashur të bëje një “luftë” të pabarabartë, që s’e ka pasur për gjë ta përballojë, pasi ka intuitë dhe mençuri, por, shpesh, i është dashur edhe ta “dredhë”, që gjithashtu nuk e ka për gjë, pasi është aktor, madje i talentuar. Ka kaluar situata “të vështira”, por ka qëndruar mbi to, ngaqë e di se, në fund të fundit, të gjitha janë “furtuna në gotën e ujit” dhe gjithë nervat, konfliktet, acarimet, klithmat e kacafytjet midis VIPave janë duele me pistoleta plastike kalamajsh, që gjuajnë me ujë… Për këto, s’ia ha qeni shkopin. Me kësi lloj armësh është snajper. Nuk më çudit kjo. Në greqisht, interpretimi quhet dhe “ÕðïêñéôéêÞ”, hipokrizi, shtirje, tjetërsim, luan dikë tjetër, ke maskë mbi fytyrën e vërtetë, ke një rol, luan. Dhe ai di të “luajë”, për këtë ka mbaruar Akademinë Teatrale pranë Teatrit Nacional në Athinë.

Miku im, Laert! Shumë herë ke shkëlqyer, po jo edhe pak herë më ke bërë të ndjehem ngushtë e të rrudh buzët. “Big Brother”-i skanoi dy anë bazike që formuan personalitetin tënd: Jetën (nga mosha traumatike e filizit 9-vjeçar) dhe karakterin (nga lehtësia dhe natyrshmëria për të demonstruar dije enciklopedike që i bënë të skuqen të ashtuquajturit VIP-a, e deri te shfaqja e një histerie akute, që nuk do ta vinin në mëdyshje psikiatrin të të veshte apo jo “këmishën e forcës”. Por… e theksoj: Jam i bindur që edhe në këto dy aspekte, e vërteta është e dyshimtë, gjithçka është lojë, pasi loja është qëllim. Për deri sa, vitin e kaluar, publiku u befasua nga një “diagnozë kanceri”, përse dhe “pedofilia” jote të mos jetë një “gong” i fortë emocional, për të shkundur të shushaturit që gdhihen e ngrysen para ekranit? Kam besim se do dalësh nga kjo aventurë duke fërshëllyer motivin e ABBA-ve “Money, money, money”, por, jashtë, mos dysho që do gjesh edhe nga ata që e kanë gati në buzë jaren shkodrane: “Ku, ku, për ne…”. Se vërtet gjejmë justifikim e fshihemi nën mantelin e Makiavelit (“Qëllimi justifikon mjetet”), por e keqja është se kjo dreq paraje të blen e të shet, vjen dhe ikën, e sikur të mos mjaftonin gjithë këto, ajo “lanete” bërtet dhe mban erë gjatë… e kam provuar vetë! Kometa gjatë fluturimit shndrit e duket vetëm një çast, bishti i saj vazhdon të duket më gjatë… Po afrohet finalja. Për mua, aspak surprizë.

Hyre në BBV4, pe, njohe, luftove, do fitosh (më shumë mend se euro), po sa më parë, kthehu në teatër, këtu, mes kolegëve (kusur e ke, të mos i kesh të gjithë VIP-a si atje, por mos të të vijë keq, ndonjërin prej tyre, as e krahasoj dhe as e ndërroj me Qaniun tonë të mirë), prandaj kthehu mes miqve e publikut, që të njeh, të do, të respekton dhe kërkon të të shohë ndryshe! Duke luajtur role, jo më Laertin. Je pjesë e artit të skenës, jo e cirkut. Ndjesë! U zgjata ngaqë më mungon aftësia të shkruaj shkurt, po ca dhe nga që besoj se, pa pluguar, nuk mund të mbjellësh, e jo më të zërë fara. “Big Brother”, ky “brend”, kjo “patentë”, ky “eksperiment social”, ku testohet për bukuri niveli ose katandia e një shoqërie (i solistëve brenda dhe korit nga jashtë), tek ne është kthyer në një “bum” mediatik dhe biznes, që do t’i linte pa gojë kërkuesit e dikurshëm të arit… E, nëse BBV është një fenomen tipik social, Laert Vasili, me gjithë ç’zbuloi në të, është: “Heroi tipik i kohës sonë”.