Zgjedhjet do tr*ndisin vendin! Shqipërinë e pret fati i Kosovës: Sali Berisha dhe Rama pa shpresa

Zgjedhjet e 11 majit pritet ta kthejnë Shqipërinë si Kosova. Partia Socialiste, sipas sondazhit të Euronews Albania, ka vetëm 40% të elektoratit. Edhe pse Partia Demokratike ka rënie, Edi Rama nuk fiton dot 71 mandate. Një rol të madh kanë sidomos partitë e reja, të cilat e pengojnë Ramën të fitojë zgjedhjet i vetëm. Le t’i marrim qarqet me radhë për të kuptuar se cili skenar e pengon Ramën për t’u rikonfirmuar si kryeministër:

Në katër qarqet e veriut, opozita mjafton të ruajë kuotat e vitit 2021. PS në Shkodër mori 3 mandate, po aq sa në Lezhë, ndërkohë që në Kukës mori 1 dhe në Dibër 2. Këto 4 qarqe zakonisht janë të djathta, kështu që ruajtja e kuotave të zgjedhjeve të kaluara në veri shihet si objektiv minimal për opozitën.

Kalojmë në Tiranë. PS në 2021 mori 18 mandate, por kësaj here vështirë se e arrin këtë numër. Dy janë arsyet pse socialistët mund të humbin një mandat. Së pari, burgosja e Erion Veliajt, i cili i ka dobësuar strukturat e PS. Së dyti, angazhimi i fuqishëm i partive të reja, të cilat në këtë qark kanë gjasa reale për të fituar mandate. PS pritet të marrë vetëm 17 mandate në Tiranë.

Korça këto zgjedhje nuk ka 11 mandate, por 10. Duke qenë se në 2021 bashkimi PD+LSI do të prodhonte një barazpeshë mandatesh në këtë qark, kjo mund të ndodhë edhe më 11 maj. Pra, një rezultat 5-5, që do të ishte një mandat më pak për PS, e cila në 2021 fitoi 6 mandate.

Kalojmë në Berat dhe Gjirokastër, dy qarqe ku opozita mund të fitojë gjithsej 2 mandate plus për shkak të listës së përbashkët. Ndryshe nga viti 2021, kësaj here votat e Partisë së Lirisë nuk shkojnë dëm, sepse Ilir Meta është pjesë e koalicionit opozitar. Rezultati 5-2 në Berat në favor të PS (2021) mund të ngushtohet në 4-3. Ndërkohë, rezultati 3-1 në Gjirokastër mund të kthehet në 2-2. Logjika matematikore e mundëson këtë.

Në Vlorë (12 mandate gjithsej) nuk priten surpriza. PS pritet të ruajë kuotat e 2021, pra 8 mandate. PD nuk shkon më shumë se 4 mandate. Rama këtu rrezikon të humbasë një mandat prej Adriatik Lapajt, i cili ka shumë vota në Vlorë dhe Sarandë. Sipas Euronews Albania, koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” e Lapajt merr 37% të votave nga e majta. Kjo e dëmton Ramën.

Tri qarqet ku është e vështirë të bësh parashikime janë Durrësi, Elbasani dhe Fieri. Që PS të mos prodhojë shumicën qeverisëse prej 71 mandatesh, mjafton që koalicioni opozitar të ruajë 6 mandatet në Elbasan dhe 7 mandatet në Fier, kurse në Durrës të fitojë një mandat më shumë (7-7), duke qenë se LSI doli shumë mirë në 2021, por nuk i bashkoi votat me PD. Kësaj here, shporta e votave është më e madhe, si koalicion.

Me këto rezultate, PS merr 69 mandate në zgjedhjet e 11 majit dhe nuk qeveris dot vendin si parti e vetme. Qarqet ku socialistët pritet të humbasin mandate janë Tirana, Durrësi, Korça, Berati dhe Gjirokastra. Ky skenar e rrëzon Ramën.

PD nuk do të fitojë zgjedhjet, por do të pengojë Ramën për t’u bërë sërish “sulltan”. Mbas 11 majit, duket se Shqipëria po shkon në zgjedhje të dyta. Pra, një variant i ngjashëm me Kosovën.