Kryeministri Edi Rama i ka besuar këngën e fushatës për zgjedhjet e 11 majit askujt tjetër përveç Noizyt, bashkëpunëtorit artistik të Erion Veliajt. Ky i fundit, tashmë në qeli, duket se po përjeton edhe “tradhtinë” e fundit nga ata që dikur e duartrokisnin në fushata.
Po, Noizy, dikur i rreshtuar krah për krah me Lali Erin, sot është bërë zëri i Ramës.
Lëvizja e Ramës mund të shihet si një “rrëmbim” artistik me prapavijë politike, por ajo çfarë bie më shumë në sy është fakti se në këtë rrëmujë, artistët po shfaqen gjithnjë e më hapur si figurantë në lojën politikanëve dhe interesave të tyre.
A është kjo prova që artistët e njohur bëhen “mjete” për të veshur me nota dhe ritëm politikat e shëmtuara? Po Alban Skënderaj, dikur mbështetës i zëshëm i Veliajt, a do ta ndjekë edhe ai shembullin e kolegut të tij dhe t’i bashkohet grupit të Ramës? A po pret vallë ftesën e radhës?
Në këtë rast, duket se miqësitë artistiko-politike ishin më shumë sa për story në Instagram. Ndoshta kjo na lë të kuptojmë se në politikë nuk ka miq, ka interesa.
A do të jetë kënga e fushatës me beat të Noizyt thjeshtë një tjetër zhurmë në sfond e cila do të harrohet më shpejt se postimet e fushatës që e pasojnë?