Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Fatjon Karmeshtnën, i shpallur fajtor për vrasjen e Suela Sulës në Melgushë të Shkodrës në prill të vitit 2016. Ai është dënuar në të tre shkallët e gjyqësorit për këtë krim, i cili sipas vendimeve gjyqësore, është kryer me porosi nga bashkëshorti i viktimës, Sadetin Sula, pronar i mobilerisë ku Karmeshtna punonte.
Para Kushtetueses, Karmeshtna kërkoi shfuqizimin e vendimeve duke pretenduar se gjykatat kishin kryer një hetim të paplotë, kishin injoruar prova të rëndësishme dhe se vendimi ishte marrë mbi bazën e provave të pavlefshme ose të mbledhura në mënyrë të paligjshme. Por kërkesa e tij u rrëzua nga një kolegj prej tre anëtarësh të Kushtetueses, që arriti në përfundimin se nuk kishte asnjë shkelje të të drejtave të tij kushtetuese.
Ngjarja ndodhi më 18 prill 2016, kur Karmeshtna mbyti me duar Suela Sulën në tualetin e mobilerisë. Sipas hetimit, motivi i vrasjes lidhej me dyshimet e Sadetin Sulës se gruaja e tij po e tradhtonte dhe mund të kërkonte ndarjen duke i marrë gjysmën e pasurisë.
Në dosje u përfshi edhe një regjistrim audio i realizuar nga telefoni i viktimës, ku dëgjoheshin biseda mes Sulës dhe Karmeshtnës për mënyrën e kryerjes së krimit. Fatjon Karmeshtna u arrestua në vitin 2018, afro dy vjet pas krimit, ndërsa hetimet provuan se ai kishte qenë ekzekutori i vrasjes, ndërkohë që Sadetin Sula ishte porositësi dhe organizatori i saj.