Ka një analogji ndërmjet dy prej shuplakave më të njohura të aktualitetit, asaj të personazhit të showbizzit, Jozefin Marku me atë të kryeministrit Edi Rama.
Marku, shkarkoi të gjithë mllefin e akumuluar ndaj personazhit pizeveng të BBVA4 Gjestit, në një gjest tepër të dhunshëm dhe të dënueshëm, si nga ana morale, ashtu edhe nga ajo ligjore.
Ndërsa Rama po vërtitet rreth Shqipërisë dhe diasporës me një shuplakë të hapur, me një dorë me pesë gishta, si numri i Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Dora e hapur, pëllëmba në fytyrë që i tregohet çdo shqiptari, është padyshim një akt intimidues, nuk është si dora e zgjatur, për shembull, e cila fton për bashkëpunim.
Shuplaka e parë
Zgjedhja e kryeministrit nuk duket e rastësishme, për të përdorur pëllëmbën e hapur si simbol të fushatës. Fare mirë mund të kishte përdorur thjesht numrin pesë, por ai do të tregojë poshtërim ndaj kundërshtarit si dhe dëshiron t’u përplasë shuplakën e radhës në fytyrë shqiptarëve me zgjatjen e mbretërimit të tij, duke u thënë këtyre të fundit se nuk keni çfarë më bëni, nuk më ndalni dot.
Shuplaka e dytë
Me arrogancën dhe vetëbesimin e dikujt që mendon se e ka në xhep mandatin e katërt, përballë një opozite të shpërbërë dhe me personazhe të konsumuara politike, Edi Rama mund t’u tregojë shuplakën në fytyrë shqiptarëve, pavarësisht se një pjesë e mirë e kabinetit të tij qeveritar, apo aleatët e tij të dikurshëm, ndodhen sot në burg, arrest, apo nën hetim.
Shuplaka e tretë dhe e katërt
Përveçse ka vite që bën lojë me Lulzim Bashën dhe të tjerët për ta mbajtur opozitën të ndarë, Rama ka vendosur edhe patericat e tij si parti të reja, në stilin e Nismës Thurje, sorosianë si Rama, që të bëjë të mundur që votat e të pakënaqurve ndaj qeverisë, të mos shkojnë te opozita, por te një apo dy partiçka sorosiane, gjë që nuk e dëmton Ramën, përkundrazi e lë këtë të fundit në pushtet.
Shuplaka e pestë
Edhe pse përshtypja është që kësaj here fitorja e Edi Ramës do të jetë më e ngushtë, ose do t’i duhen një apo dy mandate të partive të tjera për të krijuar qeverinë, shuplaka e tij më e rëndë është ajo që ai po i drejton diasporës shqiptare. Është vërtet në nivelet e cirkut politik, që kryeministri të shfaqet si palaço në diasporë, dhe me militantë të marrë nga Shqipëria, apo kushërinjtë e këtyre të fundit nëpër Evropë, dhe të shfaqet sikur gjoja gëzon mbështetjen e emigracionit, i cili në fakt në këto 12 vite të qeverisës së Ramës, ja ka mbathur nga Shqipëria për një jetë më të mirë, oaz të cilin Rama e premtoi, për të kuptuar pas mbi 1 dekade, se fuqia e qeverisjes së tij, ka qenë e atillë, sa ende në 2025, nuk u ka garantuar dot ujë të pijshëm 24 orë shqiptareve, e jo më të krekoset për arritje të tjera imagjinare.
Ndërsa shuplaka e rëndë e Jozefin Markut u bë brenda një loje, edhe pse e tejkaloi disa herë këtë të fundit, shuplaka që Rama po na vërtit në fytyrë nuk është aspak lojë, përkundrazi, është një shuplakë ndaj dinjitetit dhe zgjuarsisë tonë.