Mbetet mister arsyeja pse BKH ka mësyrë në Fier
Një përplasje fizike ka ndodhur në Fier mes hetuesve te BKH, Forcave Operacionale dhe njerëzve të Agron Kapllanajt, ish-kryebashkiak në Mallakastër.
Raportohet se agjentët kanë ngritur një dron në hyrje të qytetit të Fierit që ka shkuar pranë biznesit të ndërtuesit Shkëlqim Kapllanaj dhe vëllait të tij Agron kapllanajt. Pas ngritjes së dronit, punonjësit e biznesit të ndërtimit kanë debatuar me zyrtarët e BKH-së dhe forcat operacionale.
Më pas, debati mes tyre ka agravuar edhe për një vend parkimi, duke përfundur në dhunë fizike. Në komisariat janë shoqëruar 5 persona dhe agjentët janë duke kryer kallëzim se janë sulmuar për shkak të detyrës.
Nga ana tjetër Agron Kapllanaj pretendon se një makinë ka hyrë në ambientet e fabrikës në tij në Fier dhe ka ngritur një dron. Ai ka reaguar në media duke dhënë detaje nga incidenti.
“Makina ka hyrë në ambientet e fabrikës në Fier gjatë ditës dhe ka ngritur dronin. Është kthyer së dyti i njëjti mjet. Punonjësit e fabrikës kanë dhënë sinjalizim. Më tej ka dalë drejtori i kompanisë, personat kanë thënë: “Po filmojmë për toka.” ‘Ok,’ ka thënë drejtori, ‘por jo në tokën time.’ Drejtori i fabrikës i ka bërë foto targës së makinës dhe është shprehur: ‘Do t’ia çoj shefit.’ ‘Mos ia ço shefit se do kesh probleme’ i kanë thënë dhe janë larguar. Njerëz të kompanisë e kanë ndjekur makinën nga pas. Kur u njoha me situatën, u nisa të bëj kallëzim”, u shpreh Kapllanaj.
Lidhur me ngjarjen reagoi edhe policia, ku shprehet se punonjësit e saj bashkë me agjentët e BKH janë sulmuar fizikisht.
“Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, së bashku me hetuesit e BKH-së pasditen e sotme kanë qenë me shërbim në qarkun e Fierit. Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier – Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme. Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier”, njofton policia.
Kapllanaj u rreshtua krah Lulzim Bashës në përplasjen që ndodhi me Sali Berishën. Madje ky i fundit e sulmoi disa herë. Më pas Kapllanaj u bashkua me Alibeajn në krijimin e partisë “Djathtas 1912”.