Një ngjarje e rëndë tronditi futbollin shqiptar mbrëmjen e së mërkurës, kur Bledar Hajdari, futbollisti i FC Dajtit në Sunday League pësoi një atak kardiak dhe u nda nga jeta.
Për këtë ngjarje tronditëse ka reaguar dhe vetë Federata Shqiptare e Futbollit, duke i shprehur ngushëllimet familjes dhe njerëzve të afërt të Hajdarit.
“Federata e Futbollit shpreh tronditjen e thellë për ngjarjen tragjike të ndodhur sot gjatë ndeshjes së vlefshme për gjysmëfinalet e kampionatit të futbollit amator 9×9 “FSHF Sunday League Albania”, FC Dajti-FC Lumninese në Shtëpinë e Futbollit .
Gjatë ndeshjes futbollisti i FC Dajtit, Bledar Hajdari, ka shfaqur probleme shëndetësore dhe është rrëzuar në fushën e lojës.
Menjëherë i është dhënë ndihma e shpejtë, duke e transportuar urgjentisht me ambulancën e pranishme në ndeshje për në spitalin e Traumës.
Për fat të keq, pavarësisht asistencës mjekësore dhe të gjitha përpjekjeve për ta rikthyer në jetë, futbollisti ka ndërruar jetë.
FSHF i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Hajdari dhe ekipit të FC Dajtit për këtë humbje të madhe që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar.
Në këto momente të vështira, Federata Shqiptare e Futbollit qëndron pranë familjes, miqve dhe bashkëlojtarëve të Bledar Hajdarit, duke ndarë me ta pikëllimin për këtë ndarje të parakohshme dhe të rëndë”, shkruan Federata.
Top Channel