Tiranë, 17 prill 2025 – Një ngjarje e rëndë është denoncuar mbrëmjen e sotme nga kryetari i Lëvizjes Atdheu, Kreshnik Osmani, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka deklaruar se një deputet i Partisë Socialiste është arrestuar në mënyrë të papritur nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Sipas Osmanit, arrestimi ndodhi vetëm 10 metra larg vendit ku forcat e Lëvizjes Atdheu po zhvillonin një takim elektoral në zonën e Astirit. “Të iku edhe një shok, në burg! Një kokërr hajduti deputet anëtar i Rilindjes sapo është arrestuar në këtë moment nga agjentët e BKH”, shkruan Osmani në Facebook.
Megjithëse nuk është bërë publik emri i të arrestuarit, burime jozyrtare përflasin se mund të jetë fjala për një prej deputetëve të përfshirë në hetime të mëparshme për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Ndërkohë, deri në orët e vona të mbrëmjes, as Partia Socialiste dhe as autoritetet zyrtare nuk kanë bërë asnjë reagim apo konfirmim publik mbi këtë ngjarje.
Në fund të postimit të tij, Osmani e mbyll me një frazë thumbuese: “Në kokë të Ali Babës!”, duke lënë të kuptohet se ai e konsideron këtë arrestim si pjesë të një zinxhiri më të madh korrupsioni.
Ngjarja mbetet në zhvillim.