Një tjetër rrjedhë tronditëse ka marrë ngjarja e ndodhur një natë më parë në kryeqytet, ku katër të rinjtë, mes tyre dy djemtë e presidentit të “Pelikan Security”, Vesel Demirajt, ranë pre e një atentati të frikshëm.
Gazetarja Klodiana Lala ka raportuar së fundmi se shënjestër e këtij atentati nuk ka qenë asnjë nga personat të cilët ndodheshin në automjetin tip “G-Class”. Por, nga informacionet e grumbulluara deri më tani thuhet se vrasësit me pagesë kanë ngatërruar shënjestër.
Mësohet se në “rreth të kuq” ka qenë bashkëshortja e të ndjerit Roan Brahimi, babai i të cilit u vra po ashtu ditën e djeshme rreth një orë para se të ndodhte ngjarja në Tiranë.
Breshëria e plumbave që u zbrazën një natë më parë në drejtim të automjetit me të cilin po udhëtonin dy djemtë e Demirajt, Dior Demiraj, 11 vjeç, Marko Bardhi Demiraj, 17-vjeç, shoku i tyre 19-vjeçar, Kian Mullaj dhe punonjës i kompanisë “Pelikan Security”, Arenc Stafa, në të vërtetë ishin nisur për gruan e Roan Brahimit, ky i fundit i ekzekutuar një vit më parë në Greqi.
Mësohet se automjeti që përdor bashkëshortja e Brahimit është e njëjtë me atë që përdornin katër të rinjtë.
Hetuesit dyshojnë se grupi i vrasësve me pagesë kanë pasur të programuara dy plane, eleminimin e disa familjarëve të familjes Prendi. Pra, ekzekutimin e babait të Roan Brahimit, 64-vjeçarin Gjovalin Prendi dhe të bashkëshortes së 32-vjeçarit i cili u vra një vit më parë në mes të Athinës.
Gjatë atentatit të parë, autorët arritën objektivin, duke ekzekutuar me breshëri plumbash Gjovalin Prendin, ndërsa për bashkëshorten e Brahimit, koincidenca e ngjashmërisë së makinës ka bërë të ngatërrohet tërësisht objektivi.
Burime për mediat bëjnë me dije se gruaja e Roan Brahimit jeton në të njëjtën lagje me familjen e presidentit të “Pelikan Security”, Vesel Demirajt.
Vijon…