Partia Socialiste dega Gjirokastër ka reaguar lidhur me ngjarjen tronditëse të ndodhur mesditën e kësaj të diele ku 17-vjeçari Vehip Peçi, në kushte të rënduara psikologjike, vendosi t’i jepte fund jetës.
Përmes një reagimi në “Facebook”, Partia Socialiste i shpreh ngushëllime familjarëve të së riut, që sot, i iku gjysma e zemrës së tyre.
Në respekt të 17-vjeçarit dhe dhimbjes së madhe që familjarët dhe miqtë e të riut kanë, dega në Gjirokastër ka vendosur që të ndalojë për 24 orë takimet dhe tubimet në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit.
“Të dashur bashkëqytetarë të Gjirokastrës në respekt të dhimbjes së thellë të Familjes Peçi, duke ndarë me ta hidhërimin për tragjedinë që u ka ndodhur, Partia Socialiste Gjirokastër ka vendosur të ndalojë për 24 orë tubimet elektorale.
Shprehim edhe një herë ngushellimet më të ndjera familjes, shokëve dhe të afërmve të të ndjerit”, thuhet në njoftim.
Vehip Peçi u gjet i varur mesditën e kësaj të diele në banesën e tij në fshatin Valare. Ishin pikërisht familjarët ata të cilët e gjetën pa shenja jete 17-vjeçarin në banesën ku dhe jetonte së bashku me të ëmën dhe dy motrat, pasi babai shkonte në emigracion për t’iu siguruar atyre të ardhura.
Ashtu sikurse raportuam dhe më herët familja Peçi kishin jetuar një periudhë të shkurtër në qytetin e Sarandës, para se të zhvendoseshin në fshatin Valare. Thuhet se i mituri edhe kur ishte në Sarandë, gjatë kohës që vazhdonte shkollën 9-vjeçare, bullizohej vazhdimisht nga bashkëmoshatarët e tij.
Ky fakt ishte kthyer në shqetësim për vetë të miturin, por edhe familjarët e tij, të cilët më pas u detyruan që të ktheheshin sërish në Gjirokastër.
Burime për mediat bënë me dije më herët se 17-vjeçari vuante nga probleme izolimi dhe melankolie, por nuk merrte asnjë medikament.