Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Republikën Domenikane: politikani Wilmy Nova, i cili u bë i njohur për aktin e tij human duke dhuruar gjak për viktimat e tragjedisë në një klub nate në Santo Domingo, ka ndërruar jetë papritur, vetëm pak ditë pas gjestit të tij.
Sipas raportimeve lokale, Nova ndërroi jetë të hënën pas një ataku në zemër. Por ky version është vënë në pikëpyetje nga ish-këshilltarja bashkiake e Santo Domingos, Elin Rosario, e cila ka ngritur akuza të rënda ndaj policisë.
“Wilmy nuk ka vdekur nga anemia, as nga ataku në zemër. Ai është rrahur nga Policia Kombëtare,” deklaroi Rosario, e cila bashkë-prezantonte një emision televiziv me të ndjerin.
Nova kishte vizituar një qendër të Kryqit të Kuq më 9 prill, një ditë pas rrëzimit të çatisë së klubit të natës “Jet Set”, ngjarje që la 231 të vdekur dhe mbi 200 të plagosur. Në një video të publikuar në faqen e tij në Facebook, ai shfaqej i shtrirë në një shtrat, teksa dhuronte gjak, i shoqëruar nga mbështetës të partisë Social Justice.
Rosario ka kërkuar që Prokurorja e Përgjithshme Yeni Reynoso dhe Presidenti Luis Abinader të hapin një hetim të plotë mbi vdekjen e Nova-s, duke theksuar se “vdekja e tij nuk ishte natyrale, por e provokuar.”