Disa vrasje në seri i kanë marrë jetën 4 pjesëtarëve të familjes Prendi. I fundit që humbi jetën ishte 64-vjeçari Gjovalin Prendi, i cili u ekzekutua me breshëri plumbash përpara lokalit në pronësi të tij mbrëmjen e 17 prillit në fshatin Pllanë të Lezhës.
Ky i fundit është i babai i Roan Brahimit alias Sidorel Prendit i ekzekutuar nga një atentat mafioz në zemër të Athinës më 9 maj të vitit të kaluar në sy të bashkëshortes dhe djalit të mitur.
Të ekzekutuar gjithashtu janë dhe Taulant Prendi e Klodian Ndreca më 19 shkurt të vitit 2014 e ndërsa 10 vite më vonë hakmarrja nuk kurseu as Roan Brahimin.
Viola Prendi, vajza e Gjovalin Prendit dhe motra e Roan Brahimit i është drejtuar shtetit me një apel të fortë për t’i dhënë fund frikës dhe panikut që ka kapluar familjen tashmë prej disa vitesh. Vajza e familjes Prendi tregon se babai i saj lëvizte i lirë dhe se nuk i druhej askujt, ndërsa tregon që fëmijët refuzojnë të shkojnë në shkollë duke menduar se do i vrasin dhe ata si gjyshin e tyre.
“Kërkoj që të vihet drejtësi për kushërinjtë e mi, vëllanë tim, babanë tim. Të gjenden autorët, të kapen dhe të marrin dënimin e merituar.
Ne nuk kemi marrë asnjë kërcënim, babai im jetonte i lirë, dilte në rrugë se thoshte nuk i kam hyrë në hak njeriu”, tha ajo. Kemi fëmijë që janë të terrorizuar, kanë frikë të shkojnë në shkollë, thonë do na vrasin edhe ne si gjyshin dhe për ne kjo është e tmerrshme”, është shprehur Viola Prendi për Top Channel.