Habit Belind Këlliçi: Nuk do të bëhet Berisha, ja kush do jete Kryeminister kur te fitojme zgjedhjet

Kandidati i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi gjatë një interviste në emisionin “Opinion” se ish-kryeministri Sali Berisha nuk është në garë për të marrë postin e kryeministrit, edhe nëse PD fiton zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

“Berisha ka një mision politik – të largojë Edi Ramën nga pushteti – dhe jo ambicie për t’u bërë sërish kryeministër,” tha Këlliçi, duke theksuar se pas fitores, do të jenë demokratët ata që do të vendosin kush do të udhëheqë qeverinë.

I pyetur nga moderatori Blendi Fevziu për arsyen pse Berisha po zhvillon një fushatë kaq të fortë nëse nuk synon postin e kryeministrit, Këlliçi theksoi se rikthimi i tij ishte i diktuar nga “rrethanat historike dhe politike”.

Gjatë diskutimit, Këlliçi u përqendrua edhe në çështje të korrupsionit, duke kritikuar qeverinë për çështjen e inceneratorëve dhe duke theksuar se Edi Rama ka kopjuar dy nga premtimet kryesore të PD-së: rritjen e pagës minimale në 500 euro dhe minimumin jetik në 200 euro.

“Berisha ka bërë gjithçka në këtë vend: ka qenë President, Kryeministër, Kryetar i Opozitës. Ai nuk ka më ambicie personale”, përfundoi Këlliçi.