Figura të krimit të organizuar, jo vetëm kanë blerë sgemente të caktura mediatike, por edhe janë çiftuar herë pas here me disa gazetare. Në shenjestër të figurave të krimit janë kryesisht modele, ish mise, këngëtare dhe moderatore, por vëmendjen e tyre e kanë e tërhequr edhe gazetaret, ndoshta me qëllim për të ndikuar në raportimin e tyre.
SHISH, policia, SPAK dhe një rreth i ngushtë mediatik e politik është në dijeni të gazetareve që janë çiftuar dhe çiftohen me figura të organizatave kriminale. Megjithatë, ato vijojnë të ftohen nëpër studio televizive për të raportuar, por edhe për të dhënë mendimin e tyre për zhvillimet në botën e krimit të organizuar. Në vend që të tërhiqnin me delikatesë fytyrën e tyre nga ekranet, ato vijojnë të kapërdisen nëpër studio televizive me iluzionin se publiku nuk di asgjë.
Në nëntor të vitit 2024, SPAK goditi organizatën kriminale të Suel Çelës. U lëshuan 19 urdhër arreste. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe Marsel alias Bujar Shega, administrator i dy kompanive Viola Green dhe Wonder Green, përfitues i miliona euro para publike, përmes tenderave me natyrë korruptive dhe të diktuara nga krimi i organizuar.
Shega, i cili sipas SPAK është ‘truri financiar’ i Suel Çelës, u arrestua në Milano falë bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare me ato italiane. Në momentin e arrestimit, Bujar Shega shoqërohej nga një gazetare e njohur në Tiranë. Ata ishin në hollin e një hoteli.
Gazetarja ka pretenduar se kishte udhëtuar drejt Milanos për të takuar Bujar Shegën, me qëllim për t’i bërë një intervistë. Pasi i ka bërë intervistën, gazetarja e njohur ka pohuar se do të kthehej në Tiranë, për të vijuar raportimin për luftën kundër krimit. Por, 5 muaj nga intervista, ajo nuk është publikuar. Gazetarja del shpesh nëpër studio televizive duke folur trapllëqe, por ‘intervistën’ duket se e ka harruar për t’a publikuar, duke lënë publikun në errësirë.