Miliardat e Vatikanit; sa i pasur është një Papë si udhëheqësi shpirtëror i katolikëve në gjithë botën?

Pasuria e Vatikanit nuk është thjesht një koleksion investimesh dhe prone. Ajo reflekton një sistem kompleks, ku feja ndërthuret me financën në mënyrë të pashembullt. Ndërsa Papa Françesku ka kërkuar të sjellë më shumë etikë dhe transparencë në administrimin e këtyre pasurive, sfida për të ruajtur besimin shpirtëror ndërkohë që menaxhohen miliarda dollarë mbetet një balancë delikate dhe unike në botë.

Vatikani, shteti më i vogël në botë për nga sipërfaqja, është gjithashtu një nga entitetet më të fuqishme financiarisht dhe më të mbrojtura për nga transparenca. Nën udhëheqjen e Papës , Vatikani ka përshpejtuar reformat ekonomike për të rritur efikasitetin dhe llogaridhënien e burimeve që kontrollon, burime që, sipas vlerësimeve të publikuara, përbëjnë një pasuri shumëmiliardëshe.​

Portofoli global me thelb hyjnor

Sipas analizave të TIME, pasuria totale e Vatikanit përllogaritet të jetë në intervalin 10 deri në 15 miliardë dollarë amerikanë. Këto pasuri përfshijnë më shumë se 5,000 prona në të gjithë botën, përfshirë ndërtesa në qytete të mëdha si Parisi dhe Londra, si dhe një sërë objektesh në territorin italian.

Një nga institucionet kyçe që menaxhon këtë pasuri është Administrata e Pasurisë së Selisë Apostolike (APSA), e cila mbikëqyr një portofol investimesh prej mbi 2.9 miliardë dollarësh. APSA ka për detyrë të ruajë investimet në përputhje me mësimet e Kishës, duke përjashtuar sektorë si industria e armëve, pornografia dhe farmacitë që prodhojnë kontraceptivë. ​

Banka që s’është Bankë: Instituti i Veprave të Religjionit (IOR)

IOR, më i njohur si Banka e Vatikanit  ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes për mungesën e transparencës në dekadat e kaluara. Megjithatë, nën drejtimin e Papës Françesku, institucioni ka pësuar reforma të thella. Sipas të dhënave të fundit, IOR menaxhonte mbi 5.38 miliardë euro në pasuri dhe realizoi një të ardhur neto prej 30.59 milionë eurosh në vitin 2023.

Reforma me “Firmën” e Papës

Në vitin 2023, Papa Françesku ndërmori një hap të rrallë: ai shpalli “nacionalizimin” e pasurive të të gjitha departamenteve të Vatikanit, duke i kthyer ato në pronë të vetme sovrane të Selisë Apostolike. Kjo lëvizje synon të reduktojë korrupsionin dhe të shmangë praktikat e keqmenaxhimit që kanë njollosur imazhin e Kishës në të kaluarën. ​

Reformat përfshijnë gjithashtu ndalimin e investimeve në aksione të rrezikshme dhe zhvendosjen e fokusit drejt investimeve me ndikim social dhe etik, si energjia e pastër apo projektet humanitare. ​

Sa ishte paga e Papa Françeskut?

Si udhëheqës i 1.4 miliardë katolikëve në mbarë botën, Papa Françesku ishte i rrethuar nga pasuria, por ai zgjodhi një jetë të kursyer.

Sipas raportimeve të mediave të huaja, Papa i ndjerë vendosi se nuk do të merrte një pagë, edhe pse kishte të drejtë për pagë 32,000 dollarë.

Pas vdekjes së tij, paga e tij mund të lihej për një anëtar të familjes, të dhurohej për bamirësi ose t’i dhurohej kishës.

Kjo është për shkak se i ndjeri Papa Françesku ishte një jezuit që u zotua personalisht për varfërinë, dëlirësinë dhe bindjen ndaj Krishtit.

Megjithatë, pavarësisht zotimit të tij, Papa i ndjerë thuhet se ka një vlerë prej 16 milionë dollarësh, për shkak të aseteve që lidhen me zyrën e tij papale, raporton Mirror.

Pasuria e Vatikanit nuk është thjesht një koleksion investimesh dhe prone. Ajo reflekton një sistem kompleks, ku feja ndërthuret me financën në mënyrë të pashembullt. Ndërsa Papa Françesku ka kërkuar të sjellë më shumë etikë dhe transparencë në administrimin e këtyre pasurive, sfida për të ruajtur besimin shpirtëror ndërkohë që menaxhohen miliarda dollarë mbetet një balancë delikate dhe unike në botë./ Pamfleti