Miqtë e fortë të Donald Trump! Si eshte garantuar Sali Berisha per fitoren e 11 Majit, Trump do

Zbulohen të tjera detaje nga kontrata e lobimit të Berishës…

Sali Berisha është gati të paguajë miliona për të hequr “non gratën”, edhe pse nuk ja doli dot ta heqë para zgjedhjeve, kreu i PD synon ta realizojë atë në javët apo muajt në vijim dhe i ka hyrë fort lobimit.

Ai ka lidhur një kontratë me Continental Strategy, ku do t’i paguajë 6 milionë dollarë në dy vite, kontrata kjo më e shtrenjtë e lobimit e firmosur ndonjëherë nga një parti shqiptare.

Por kush janë njerëzit që ka gjetur Berisha për të lobuar te sekretari Rubio, me shpresën se do t’i hiqet damka e korrupsionit?

Kompania “Continental Strategy” u themelua në vitin 2021 nga këshilltari i tij Carlos Trujillo. Zoti Trujillo e themeloi Continental menjëherë pasi Trump la detyrën, pasi kishte shërbyer në administratën e tij të parë si ambasador në Organizatën e Shteteve Amerikane. Po ashtu ai njihet si avokat i Presidentit Trump.

Vetëm disa ditë pas rizgjedhjes së Donald Trump si President i SHBA-ve për herë të dytë, Continental njoftoi një promovim për Katie Wiles, vajzën e Susie Wiles, që shërbeu si shefja e fushatës së presidentit Trump. Aktualisht Shefja e Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë. Kjo e fundit ka qenë bashkë me LaCivita pjesë e ekipit të fushatës.

Disa ditë më pas, Continental kontraktoi Alberto Martinez, një ish shef stafi i sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, si një partner menaxhues për të ndihmuar në rritjen e mëtejshme të Continental.

Ndërkohë, në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar firma punësoi zëvendës drejtorin politik të fushatës së Trump, Alex Garcia si partner.

Sipas kontratës, kompania e lobimit do të ofrojë shërbimet e mëposhtme për llogari të Partisë Demokratike:

1- Krijimi i marrëdhënieve me aktorët kryesorë në qeverinë dhe kongresin e SHBA-ve për të lehtësuar zhvillimin e politikave.

2- Mbështetje për të promovuar demokracinë, nismat kundër korrupsionit dhe reformat qeveritare në përputhje me marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.

3- Përdorimi i përvojës së gjerë në marrëdhëniet me qeverinë, advokimin e politikave, të dërguarit ligjorë dhe angazhimin e palëve të interesuara në linjë me objektivat e Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj, Aleanca për Shqipërinë e Madhe.

Pra, duket se Berisha ka gjetur njerëz shumë të afërt me Trump dhe Rubion, me shpresën se ata do të lobojnë në DASH për të zhbërë vendimin e Blinken. Por pyetja që ngrihet është: Ku i gjen Berisha kaq shumë para? Në kontrata futet emri i një personi nga Tropoja, por zor se dikush e kapërdin. Nuredin Seci që del garantor, rezulton prej 30 vitesh si sportist dhe trajner i ekipit të Alpinizmit Valbona. Pra ku burojnë milionat? /Pamfleti

PD: Kontributi financiar për realizimin e këtij qëllimi është marrë përsipër 100% nga patriotët shqiptarë

Dy javë para zgjedhjeve, një lajm “bombë” vjen nga SHBA. Partia Demokratike ka firmosur një kontratë lobimi me vlerë 6 mln dollarë, synimi kryesor i së cilës është që të hiqet non grata e Sali Berishës. Kontrata është firmosur me “Continental Strategy” për dy vite dhe do të paguhen 250 mijë dollarë në muaj. Pyetja e parë që ngrihet sapo sheh një kontratë të tillë është: Ku do t’i gjejë PD kaq shumë para?

Pas disa orësh nga publikimi i kontratës, erdhi një reagim nga PD, e cila ashtu sikundër pritej, ka dredhuar. PD shprehet se paratë i kanë dhënë mbështetës të PD në diasporë. Por pa dhënë ndonjë detaj tjetër.

“Komuniteti shqiptaro-amerikan, përmes fondacionit “Make Albania Great Again”, ka kontraktuar kompaninë “Continental” për të ndihmuar në konsolidimin e marrëdhënieve miqësore të Partisë Demokratike, si forca më e madhe opozitare, me Kongresin dhe Qeverinë e SHBA-së. Synimi i bashkëatdhetarëve tanë në SHBA është bashkëpunimi i PD-së me aleatin kryesor të Shqipërisë, për të rivendosur demokracinë funksionale dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri. Kompania “Continental” drejtohet nga Ambasadori Carlos Trujillo, i cili njihet gjithashtu si avokat i Presidentit Trump dhe si antikomunist i palëkundur në qëndrimet e tij.

Kontributi financiar për realizimin e këtij qëllimi është marrë përsipër 100% nga patriotë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej dekadash në SHBA, si dhe nga demokratë të tjerë të larguar nga Shqipëria gjatë këtyre 10 viteve për shkak të regjimit të Edi Ramës.

Partia Demokratike, duke falënderuar demokratët antikomunistë të komunitetit shqiptaro-amerikan për bujarinë dhe patriotizmin e tyre, sqaron opinionin publik se, ndonëse ka dhënë dakordësinë për marrjen e këtij shërbimi në përputhje të plotë me ligjet e të dy vendeve, nuk ka asnjë barrë financiare apo detyrim kontraktual që lind nga kjo marrëveshje”, shprehet PD.

Por edhe pse PD ja faturon dikujt tjetër pagesën, kontrata del e firmosur nga Flamur Noka. Po ashtu vjen në një kohë kur SPAK ka bërë me dije se ka ngritur një njësi speciale që do të hetojë për zgjedhjet. Pyetja që ngrihet është: A do të ketë një verifikim nga Prokuroria Speciale? Mos harrojmë se Ilir Meta sot është në qeli pikërisht për shkak të lobimeve në SHBA. LSI shpenzoi afro 700 mijë dollarë në SHBA dhe nuk u deklaruan. Po ashtu, nuk u justifikua burimi i kontratës.

Në vitin 2019, Lulzim Basha u hetua nga Prokuroria e Tiranës për kontratën e lobimit 675 mijë dollarë. Ai madje u dërgua për gjykim, por dosja u mbyll nga gjykata duke e nxjerrë pa faj. Tani topin e ka SPAK. Janë 6 mln dollarë në lojë dhe prokuroria duhet të na tregojë se kush i ka paguar, pasi Berisha pretendon se nuk është korruptuar kurrë. /Pamfleti