Burimet tona konfirmojnë se segmenti i parë ku janë instaluar dhe tashmë po testohen radarët inteligjentë është Vlore–Fier, një nga akset më të frekuentuara dhe, për fat të keq, më të rrezikshme të vendit.
Në këtë segment, përgjatë të gjithë rrugës së re me standarde autostrade, janë ngritur disa shtylla metalike ku janë montuar radarët më të avancuar teknologjikisht. Bazuar në informacionet që kemi siguruar:
- Çdo hyrje dhe dalje nga segmenti do të monitorohet me kamera dhe radarë.
- Matjet e shpejtësisë do të kryhen jo vetëm në pika të caktuara, por do të jetë një monitorim dinamik që do të krahasojë shpejtësinë mes hyrjes dhe daljes, duke evidentuar çdo tentativë për tejkalim të normave të lejuara.
- Radarët do të regjistrojnë në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm shkeljet e shpejtësisë, por edhe përdorimin ose jo të rripit të sigurimit, si dhe përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të automjetit.
- Gjithashtu, do të krijohet një database elektronik për automjetet që përsërisin shkeljet, çka mund të sjellë pasoja më të rënda administrative për shkelësit recidivistë.
Ky aks është një nga arteriet më jetike të lëvizjes së automjeteve, veçanërisht gjatë sezonit turistik, ku fluksi i mjeteve rritet ndjeshëm dhe ku, për vite me radhë, kanë ndodhur aksidente fatale për shkak të shpejtësisë dhe manovrimeve të rrezikshme.
Autoritetet kanë zgjedhur këtë segment për të testuar jo vetëm efikasitetin teknik të radarëve të rinj, por edhe reagimin e qytetarëve ndaj një sistemi automatik ndëshkimi, ku toleranca është zero dhe çdo shkelje evidentohen në kohë reale pa ndërhyrje njerëzore.
LajmeTroç.al do të vijojë të publikojë ekskluzivisht hartat, detajet teknike dhe analizat mbi këtë projekt që do të ndryshojë mënyrën si kontrollohet dhe gjobitet trafiku në Shqipëri.
Qëndroni me ne për më shumë informacion të përditësuar!




