Puntata e “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan sjell këtë të diel një përballje të vështirë mes dy motrash, Lefterisë dhe Margaritës. Kjo e fundit është vendosur në shtëpinë e Lefterisë dhe nuk pranon të largohet pasi thotë se ka mbetur në mes të rrugëve.
Lefteria ka ardhur që t’i kërkojë ta lërë të qetë sepse jeton edhe me nusen e djalin, ndaj nuk mund të krijojë probleme në familje. Margarita thotë se asnjë nga 5 motrat e vëllezërit e tjerë nuk e përkrah. Ajo është e vetme dhe me një histori shumë të dhimbshme nga pas sepse ka humbur dy djemtë.
Margarita: Unë jam vetëm! Unë jam nënë qyqe! Unë kam shtënë dy fëmijë në tokë! Dy fëmijë, një 8 vjeç, një 27 vjeç! I kam futur atje në Tufinë, prandaj erdha të rri në Shqipëri, nuk erdha për gjë tjetër!
Lefteria tregon se motra u martua për herë të dytë me një shtetas grek, me të cilin nuk kishte fëmijë. Humbja e tyre ishte tragjike pasi njëri ndërroi jetë nga bomba, kurse tjetri në trazirat e vitit 1997.
Lefteri: Kjo jeton në Greqi, plaku ku ka jetuar me këtë ka vdekur, ia ka lënë shtëpinë derisa të jetë gjallë.
Eni Çobani: Ka qenë e lidhur atje me martesë?
Lefteri: Po, po të rregullt.
Eni Çobani: Me grek apo me shqiptar?
Lefteri: Me grek.
Eni Çobani: Ka qenë e martuar zonja. Fëmijët nuk i ke me grekun?
Margarita: S’kam fëmijë znj. Eni. Me martesën e parë, kam pasur dy çuna. Plasi bomba brenda në shtëpi. Kalamajtë e mi janë gjetur lart në tavan.
Ardit Gjebrea: Të plasi bomba?
Margarita: Po.
Ardit Gjebrea: Bombola apo bomba?
Margarita: Jo, jo, bomba.
Ardit Gjebrea: Bomba? Çfarë bombe?
Margarita: Në “Kinostudio”, ku janë pallatet dykatëshe.
Lefteri: Në ’82-shin, fëmijët siç kanë luajtur jashtë, siç kanë qenë ferrat e “Kinostudios”, ne flasim në ’82-shin, jo sot.
Ardit Gjebrea: Këtu në “Kinostudio”?
Lefteri: Këtu në “Kinostudio” kemi banuar neve. Kanë gjetur kalamajtë jashtë, i kanë futur brenda. Ai ishte i vogël, fëmijë i vogël, 8 vjeç. Motra ka qenë në shtëpi, motra 20 vjeç. I kanë hequr siguresat se ne kemi bërë zbor e dimë, kuptojmë, i ka hequr siguresën, ajo ka shkuar t’ia marrë se e ka kuptuar, ka plasur ajo. Tani nuk dua të flas më. Kjo është një nënë e djegur! Kjo është një nënë e përvëluar por unë nuk kam ku ta çoj! Nuk kam ku ta shpie! Çfarë mund t’i bëja?
Ardit Gjebrea: Ti e kishe bashkëshortin apo ishe e ndarë?
Margarita: Jo, isha e ndarë.
Ardit Gjebrea: Ah, ishe e ndarë!
Lefteri: Në martesë kishte dy fëmijë. Në ’97-ën u vra tjetri, kuptoje vetë, në rrëmuja e sipër./tvklan.al