Duke folur në një lidhje live në Euronews Albania, meteorologia Lajda Porja tha se këtë javë na presin ditë të nxehta.
Ajo u shpreh se nga e marta do të ketë një rritje të vazhdueshme të temperaturave, të cilat do të kulmojnë të enjten dhe të premten deri në masën 30 gradë Celsius.
Sipas saj, këto temperatura janë tipike verore dhe do të jenë më të larta 6 deri në 7 gradë Celsius se normalja e tyre në fund të prillit.
“Nga nesër dhe deri në fundjavë, më në fund do të vijë koha me shumë diell, duke qenë se muaji prill ka pasur disa ditë me reshje. Parashikohet që të kemi intervale të gjata me diell gjatë gjithë fundjavës. Do të thoja se vranësirat e lehta dhe kalimtare do të jenë vetëm në zonat malore, ndërsa reshje do të ketë vetëm në shkallë të vogël në rajonin verior, por do të jetë një fundjavë fantastike, sidomos për vijën bregdetare,” tha Porja.
“Termometri ngjitet në 27 gradë Celsius nga e marta deri të premten, ku çdo ditë do të ketë rritje, ndërsa dy ditët më të nxehta do të jenë të enjten dhe të premten, kur temperaturat do të kalojnë 30 gradë Celsius. Në Elbasan, Berat, dhe Kuçovë temperaturat do të jenë mbi 31 gradë, një temperaturë tipike qershori. Edhe fundjava, edhe pse sjell një rënie të lehtë të temperaturave, do të ketë 28 gradë Celsius. E gjithë java do të jetë një javë me diell. Parametrat e erës do të jenë të lehta deri në mesatare, duke favorizuar dhe personat që pëlqejnë bregdetin, ku paradite deti do të jetë i qetë,” tha ajo.
Sa i përket rajonit të Ballkanit, meteorologia Porja tha se e njëjta situatë do të jetë në gjithë gadishullin, për shkak të ndikimit të një mase ajrore me origjinë nga veriu i Afrikës, e cila do të sjellë mot të nxehtë dhe të kthjellët në gjithë vendet e Ballkanit.
“I gjithë gadishulli i Ballkanit, duke filluar nga nesër, është nën ndikimin e një mase ajrore me origjinë nga veriu i Afrikës, e cila është kryesisht mbi brigjet e Mesdheut, dhe gadishulli i Ballkanit do të jetë nën ndikimin e kësaj mase, ku kudo do të mbizotërojnë kthjellimet.
Temperaturat do të rriten ndjeshëm; madje në Kosovë do të jenë mbi 22 gradë Celsius të enjten dhe të premten, ndërsa në fundjavë do të ketë një rënie të lehtë. Ndërsa në Shkup, temperaturat do të arrijnë deri në 25 gradë Celsius. Temperaturat më të larta do të jenë në bregdetin shqiptar, në Shkup të Maqedonisë së Veriut dhe në Greqi, ku gadishulli i Ballkanit do të ketë mot të kthjellët dhe temperatura 6 deri në 7 gradë më të larta sesa janë zakonisht në muajin maj, dhe këto temperatura do të jenë tipike për verën,” tha Porja.