Ai që deri pak muaj më parë konsiderohej si një nga pasardhësit e Ramës në krye të Partisë socialistëve, sot është lënë në harresë edhe nga njerëzit e tij më të afërt në politikë.
Erion Veliaj, i burgosur prej më shumë se 3 muajsh me urdhër të SPAK, duket se është një kapitull i mbyllur për PS-në dhe socialistët, që tashmë nuk guxojnë as t’i përmendin emrin në fushatë apo në televizione.
Sulmet e Ramës ndaj SPAK ishin vetëm një “show” për të mbajtur PS-në e bashkuar kur çështja ishte ende e nxehtë, ndërsa pas mesazhit të kreut të qeverisë në grupin parlamentar ku urdhërohej që Veliaj të mos mbrohej publikisht, ka ardhur dhe harresa për kryebashkiakun.
Në Bashki, të besuarit e tij u larguan “me forcë”, pas “luftës” 24 orarëshe mes Ramës dhe Veliajt, ku ky i fundit kërkoi të merrte sërish në dorë frerët e Bashkisë, në të cilën kryeministri e ka shpallur veten kryetar “de facto”.
Harresa e Veliajt duket se do të ketë ndikim edhe te kandidatët për deputetë që mbështeteshin nga kryebashkiaku, mes të cilëve përmenden Fatmir Xhafaj, Etien Xhafaj, Klotilda Bushka e Blerina Gjylameti. Të gjithë këta janë në listën e hapur, dhe pa mbështetjen e Veliajt, do ta kenë të vështirë të jenë pjesë e Parlamentit të ardhshëm.
Sot, Erion Veliaj është një kapitull i mbyllur për Partinë Socialiste, ashtu si Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj e shumë të tjerë që kanë përfunduar pas hekurave.
Edhe qëndrimi i tij në krye të Bashkisë së Tiranës duket se nuk do të jetë i gjatë, pasi brenda PS-së flitet se Rama do ta çojë Bashkinë në zgjedhje të parakohshme sapo të mbarojnë zgjedhjet e 11 Majit, ku sipas të gjitha sondazheve, do të marrë mandatin e katërt qeverisës.
Pas 11 Majit, Erion Veliaj do të jetë “e shkuara” e PS-së, teksa i vetëm do të duhet të përballet me SPAK dhe dosjen qindra faqëshe të përgatitur nga prokurorët, që kanë zbuluar me detaje se si korrupsioni ishte ulur këmbëkryq në zyrën e tij.
Në SPAK janë edhe dosja “5D” apo ajo e Inceneratorit të Tiranës, të cilat kanë disa të burgosur, teksa nuk është çudi që të ketë edhe ndonjë “pentito”, që të zbulojë edhe përfshirjen e kryebashkiakut./ Ditar.al