Edi Rama nuk bën asgjë rastësisht. Çdo fjalë që thotë në publik, çdo takim që organizon dhe çdo batutë që lëshon, është pjesë e një strategjie të llogaritur për të fituar vota dhe jo për të dhënë mend apo për të bërë filozofin, edhe pse mund ta bëjë me raste.
Dhe kur sheh se ai bën takime të njëpasnjëshme jashtë Tirane me gra dhe vajza që i përqafon, i lavdëron, u jep mikrofonin, ndërkohë që burrat i lë në cep, u drejtohet me ironi, i quan “autikë” apo “çyrykë”, është e qartë se kemi të bëjmë me një strategji politike të ndërtuar mbi një realitet të ri demografik: Shqipëria i plakur, e boshatisur, në statistika ka përqindje më të lartë që grave sesa grave.
Këtu pikërisht është edhe objektivi i Ramës për 11 Majin, vota e grave.
Sipas Censit 2023 të INSTAT, Shqipëria ka vetëm 2 milionë e 412 mijë e 113 banorë, një rënie e ndjeshme nga viti 2011. Mosha mesatare ka shkuar në 42.5 vjeç, duke u rritur me 7 vite. Popullsia është në plakje të shpejtë dhe në ikje të vazhdueshme. Ka më shumë gra se burra: 50.4% janë gra dhe 49.6% burra. Në pamje të parë, ndryshim i vogël, por në logjikën elektorale të Ramës, kjo përkthehet në avantazh të matshëm: më shumë gra në popullatë do të thotë më shumë gra në listat e votuesve, dhe sidomos më shumë gra në zonat rurale, aty ku Rama investon më shumë me projekte, estetikë dhe propagandë vizuale.
Gratë janë votueset më të disiplinuara. Shkojnë në zgjedhje më rregullisht, janë më besnike ndaj partisë që ndihen të përfaqësuara, më pak të përfshira në debat politik agresiv, më pak të luhatshme. Dhe këtë e di shumë mirë Edi Rama. Ai e ka kuptuar prej kohësh se investimi në gratë i sjell më shumë rendiment elektoral sesa përplasja me burrat, të cilët janë më cinikë, më kritikë dhe më të prirë për të ndërruar kamp ose për të bojkotuar fare. Burri shqiptar është lodhur me premtime politike dhe sot është më shumë spektator ironik sesa pjesëmarrës i bindur. Ndaj Rama nuk ka më interes t’i flasë atij me respekt. Përkundrazi, shpesh e përdor si “qen loje”, për të nxitur reagim emocional tek audienca tjetër, te gratë.
Kur Rama e quan një burrë “autik” apo një opozitar “çyryk”, ai nuk po flet për atë individ. Ai po ndërton një narrativë ku burri është i paaftë për ndryshim, për drejtim, për qeverisje, ndërsa gruaja është alternativë, është shpresë, është “e moralshme”, “e zonja”, “e mençur”. Kjo nuk është gjuhë ofendimi, por pjesë e propagandës së strukturuar për të lëvduar një gjini në kurriz të tjetrës. Dhe jo për barazi, por për kontroll. Në fund të ditës, është më e lehtë të kontrollosh një votues që e ndjen veten të vlerësuar sesa një votues që e ndjen veten të përçmuar.
Në këtë kontekst, Rama ka transformuar Partinë Socialiste në një parti që përdor me mjeshtëri emocionin dhe identitetin gjinor si armë politike. Fushatat e tij nuk janë më me flamuj dhe parrulla, por me karrige të bardha në rrugë, me gra që flasin për hallet, me histori personale, me ndjeshmëri, me lavde publike dhe me premtime të drejtpërdrejta për gratë që “mbajnë shpinën e familjes dhe shtetit”. Këto janë fjalë që burri shqiptar i dëgjon dhe ndjen se po e nxjerrin jashtë loje. Dhe kjo është pikërisht ajo që kërkon Rama: të mos ketë më asnjë rivalitet emocional me burrat, por ta fitojë zgjedhjet në heshtje, përmes një armate të disiplinuar, të qetë dhe mirënjohëse, gratë.
Ndërkohë, opozita, kryesisht PD-ja vijon të bëjë fushata si në vitin 2005: takime me burra të vjetër, fjalime të thata, kritika teknike, zhargon juridik dhe ndonjë buzëqeshje me zor. Asnjë ndjeshmëri, asnjë investim emocional. Ata vazhdojnë të flasin për krimin, korrupsionin dhe emigracionin, ndërkohë që Rama flet për nënën, për gruan punëtore, për gruan që drejton, për gruan që sakrifikon. Dhe në një vend ku gratë kanë marrë mbi supe edhe familjen, edhe punën, edhe emigrimin e burrave, ky është marketing i pastër politik.
Pra, nëse Rama sulmon burrat dhe i lartëson gratë, nuk e bën për idealizëm. Nuk është se po ndërton një shoqëri më të barabartë, përkundrazi po luan me ndasitë për të ndërtuar një shumicë elektorale. I njeh mirë dobësitë e sistemit dhe e di ku ndodhen votat. Dhe për aq kohë sa burrat do jenë më të zhurmshëm, por më pasivë, dhe gratë më të heshtura, por më besnike, Rama do të vijojë të organizojë fushata me buqeta, jo me beteja. Sepse aty ku ka më shumë emocione, ka edhe më shumë vota. Dhe në politikën shqiptare të sotme, vota nuk fitohet me të drejtën, por me kujdesin emocional, propagandë edhe blerje.
Dhe ky kujdes për momentin, është rezervuar vetëm për gratë./ Pamfleti