Një incident i dhunshëm është regjistruar sot në zyrat elektorale të Partisë Social Demokrate (PSD), ku është sulmuar Lendi Palaj, i njohur si menaxheri i lokaleve të dyshuara për aktivitete bastesh të jashtëligjshme “333” dhe “CR7”. Lokale këto që janë ekspozuar më parë nga gazetarja Ola Xama si pjesë e një rrjeti të dyshuar për bastore të paligjshme.
Sipas burimeve të para nga policia, dy shtetas e kanë goditur fizikisht Palajn, ndërsa konflikti dyshohet të ketë shpërthyer për shkak të borxheve të pashlyera që lidhen me aktivitetin e basteve. Emri i përmendur si një nga agresorët është Lorenc Telhallari, i cili dyshohet se i detyrohej para Palajt.
Përplasja nisi pranë zyrave të PSD-së, afër një prej pikave të lokalit “333”, ndërsa Palaj është strehuar më pas brenda zyrës elektorale. Aty, ngjarja ka eskaluar edhe më tej: Telhallari është rikthyer në vendngjarje bashkë me të atin, Arjan Telhallari, i cili dyshohet se ishte në gjendje të dehur. Të dy kanë sulmuar zyrën e PSD-së në mënyrë brutale.
Policia ka zbuluar në vendin e ngjarjes dy fishekë lufte, çka ngre dyshime të forta se autorët kanë qenë të armatosur. Për fat, arma nuk është përdorur, duke shmangur një tragjedi të mundshme.
Ngjarja ka tronditur ambientin politik dhe shtron pikëpyetje të reja mbi lidhjet e mundshme mes aktiviteteve të jashtëligjshme të basteve dhe aktorëve të caktuar politikë. Autoritetet janë në hetim intensiv për zbardhjen e plotë të incidentit.