Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila 4 vjet më parë u shfaq në krah të Sali Berishës, në betejën që ai zhvilloi për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka zbuluar se kush ishte ‘guruja’ amerikan që i siguroi fitoren Edi Ramës në vitin 2013 dhe si mund të rrëzohet Kryeministri, që synon mandatin e 4-t rradhazi në drejtimin e Qeverisë.
Kokalari shkruan se në 2013-ën, Rama punësoi një nga konsulentët dhe strategët më me influencë të politikës jo vetëm në Amerikë, por dhe në Europë & Israel – Arthur Finkelstein. Dhe duke bërë një krahasim mes tij dhe Chris LaCivita që po drejton fushatën e PD-së në zgjedhjet e 11 majit, Kokalari shkruan se “LaCivita nuk është as 1/100 e Arthur Finkelstein profesionalisht, por dhe në lidhjet e tij me Republikanët. Arthur Finkelstein mbetet guru i fushatave elektorale dhe një nga strategët që do analizohet gjatë nga njerëzit e politikës”.
Postimi nga Evi Kokalari
Edi Rama në një intervistë dje foli për një ish-konsulent të tij fushate nga i cili ka mësuar shumë.
Për kë flet Rama?
Në fushatën e 2013, Rama punësoi një nga konsulentët dhe strategët më me influencë të politikës jo vetëm në Amerikë, por dhe në Europë & Israel – Arthur Finkelstein!!
Nga e di unë? Sepse dy asistentët e tij që zbarkuan në Shqipëri për 6 muaj plot gjatë fushatës, janë individë që i njoh mirë dhe janë marrë me fushatat e shumë Republikanëve të NY si për Kongres por dhe për zgjedhjet presidenciale të Trump, Ben Carlson etj
Në fakt kur më kanë thënë në fillim që kanë bërë fushatën e Ramës, u shokova duke patur parasysh që Rama është i PS-së. Ndërkohë PD-ja lidhjet i kishte me Podestën dhe këta të partise demokratike në SHBA.
Rama jo vetëm ishte shumë afër me Finkelstein por ai ishte nga të paktët që foli në varrimin e tij në 2017. Më vonë, në drekën pas varrimit ishte i ulur ngjitur me ish-governatorin Republikan të NY-ut George Pataki.
Arthur Finkelstein ka qënë strategu i fushatës së Ronald Reagan, ka qënë shumë i rëndësishëm në përfundimin e Luftës së Ftohtë, dhe diskutimeve të Reaganit me Gorbaçov. Ai ka bërë fushatën e Viktor Orban dhe Benjamin Netanyahu. Ka fituar pa fund fushata elektorale për Republikanët në Amerikë, dhe pa asnjë frikë them se ka qënë një nga konsulentët më influencues të 50 viteve të fundit, aq shumë sa të gjithë dorëshkrimet e tij sot ruhen në Librarinë e Kongresit. Aq shumë sa sot shkruhen ese për fushatat elektorale në bazë të bëmave të Finkelstein.
LaCivita nuk është as 1/100 e Arthur Finkelstein porfesionalisht por dhe në lidhjet e tij me Republikanët. Arthur Finkelstein mbetet guru i fushatave elektorale dhe një nga strategët që do analizohet gjatë nga njerëzit e politikës.
E kam thënë më parë, që kampi i Ramës është shumë, shumë më i sofistikuar se ai i Berishës në shumë detaje – dhe Berishës ja kam thënë disa herë që i nevojitet një strateg super i aftë, dhe në mëndje kisha pikërisht nivelin e Finkelsteinit.
Mos sofistikimi i Berishës duket qartë tek kontrata 6 millionshe që ka firmosur, një lek i shpërdoruar në menyrën më barbare.
Sërisht, Berisha mund ti kishte zgjidhur problemet e njollave pa qënë nevoja e shpërdorimit të lekut në këtë formë, dhe fitoren do ta kishte të garantuar nëse LaCivitën nuk do ta sillte sa për sy e faqe në TV shqiptare, por me fokus maksimal në terren. Dhe Lacivita vet u shpreh që preferon të jetë i padukshëm në fushatë, siç ndodh me të gjithë konsulentët – përveç se nëse je në Shqipërinë e Berishës.
Si përfundim, sofistikimi i Ramës mundet vetëm me një strategji të të njëjtit nivel si ai i Finkelsteinit ose më të sofistikuar se ajo që Rama ka mësuar prej tij, dhe ndoshta mënyra më e mirë është pikërisht duke përdorur po të njëjtit individë që Ramës i mundësuan fitoren në 2013.
Rama nuk luftohet me sharje dhe me kërcënime kanibaliste. Rama luftohet me fakte dhe ekspertizë elektorale.