‘Dosja e ZEZE gati’!/ Çfare pritet te ndodhe pas 11 majit? Plani ‘B’ i Berishës per f*ndin e Edi Rames

Kjo dosje do të vihet në dispozicion të kancelarive ndërkombëtare europiane dhe amerikane, institucioneve ndërkombëtare, përfshi Parlamentin Europian, Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe çdo organizëm të BE-së dhe KiE-së.

Në 11 maj mbahen zgjedhjet parlamentare ku në garë janë 11 subjekte, 3 prej të cilave janë koalicione me 2 ose më shumë parti.

E ndërsa fushata ka hyrë në fazën finale, ku palët po intensifikojnë takimet dhe thirrjet drejtuar votuesve për të maksimalizuar votat, demokratët e Berishës duket se kanë edhe një plan ‘B’, ai tek i cili do të përqëndrohen pas zgjedhjeve në varësi të rezultatit.

Një dosje voluminoze po pasurohet dita ditës dhe në të përfshihet çdo sekuencë, provë e fakt lidhur me zgjedhjet, një pjesë e të cilave janë depozituar edhe në SPAK. Bëhet fjalë për një dosje që ka nisur të formësohet nga dita e parë e fushatës, e ndarë sipas qarqeve. Në dosje përfshihet çdo informacion lidhur me shkeljet e evidentuara, nga ato më të rëndomtat dhe deri në ato që konsiderohen si krime zgjedhore.

Të gjitha denoncimet që nga përfshirja dhe përdorimi i administratës në zgjedhje, presionet, ‘asfalti’ elektoral, shpërndarja e produkteve ushqimore në zona të caktuara, por edhe fotografi dhe pamje filmike të kontakteve të kandidatëve socialistë për deputetë, apo të deleguarve të tyre në qarqe, me elementë të botës së krimit, duket se do të jenë arma që demokratët e Berishës do të kenë në dorë pas 11 majit. Një pjesë e denoncimeve janë bërë publike, disa janë depozituar në SPAK dhe të tjera ndodhen në dosjen e “zezë” sikundër pritet të quhet pas zgjedhjeve parlamentare.

E gjithë kjo dosje do të vihet në dispozicion të kancelarive ndërkombëtare europiane dhe amerikane, institucioneve ndërkombëtare, përfshi Parlamentin Europian, Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe çdo organizëm të BE-së dhe KiE-së.

Duket se Berisha do të vërë në funksion të njëjtën strategji si ajo e 24 viteve më parë, ku pas zgjedhjeve të 2001, denoncoi çdo shkelje zgjedhore, duke vënë në dyshim në atë kohë super-mazhorancën e socialistëve, çka më pas u pasua nga e famshmja marrëveshje me Fatos Nanon, duke ndarë në tavolinë disa nga institucionet e asaj kohe, që nisnin me Presidentin dhe përfundonin te Avokati i Popullit dhe zgjedhja me konsensus të disa prej drejtuesve që kërkonin shumicën e cilësuar.

Në këtë kuadër, duket se Berisha krahas planit për të shpresuar në një rikthim të 3-të, ka gati edhe planin ‘B’, i cili do të varet nga lobimi që ai dhe aleatët do të bëjnë në Europë dhe SHBA. Duket se kjo është edhe arsyeja që PD dhe aleatët kanë lidhur një kontratë lobimi me një kompani amerikane, e krijuar nga ish-bashkëpunëtorë të Donald Trump, me një vlerë 6 milionë dollarë, me synimin e reagimeve nga përtej atlantikut për denoncimet.

Berisha disa herë e ka deklaruar se në 11 maj nuk do të ketë deklarata nga SHBA, pa u mbullur kutia e fundit dhe pa nisur procesi i numërimit, ku të urohet fituesi. Këtu Berisha ka parasysh qëndrimin e mbajtur nga SHBA në zgjedhjet e fundit, ku pa nisur procesi i numërimit të votave, urohej Edi Rama dhe PS për fitoren e zgjedhjeve.

Në anën tjetër, kreu i demokratëve po përdor rezolutën e PPE-së si një tjetër ‘armë’ lidhur me 11 majin. Në rast disfate, Berisha ka gati rezolutën e miratuar në kongresin e PPE-së që u mbajt në Spanjë, ku theksi vihet mbi rrezikun e demokracisë dhe zgjedhjeve në Shqipëri, për të nisur një betejë në institucionet europiane.

Megjithëse nuk dihet nëse kjo strategji do të ketë efekt ose jo, Berisha është i përgatitur për të mos lënë shtigje, të njëjta si ato që dikur i kujtonte Lulzim Bashës, pasi nisi betejën për marrjen nën kontroll të partisë. Pikërisht sulmi më i fortë që i bënte Bashës 4 vjet më parë ishte fakti se nuk kishte denoncuar në kancelaritë ndërkombëtare shkeljet apo krimet zgjedhore, ndërsa e kishte mendjen tek bashkëqeverisja. Dhe duket se tashmë, kreu i demokratëve, me eksperiencën e tij politike, e ka të qartë se në rast humbjeje, mënyra e vetme për të vendosur shkopinj nën rrotat e Edi Ramës, është duke vepruar me faktorin ndërkombëtar. /Pamfleti/