Presidenti turk pritet t’i japë një mesazh të ashpër Edi Ramës, duke akuzuar lidhjet e tij me Arabinë Saudite dhe Perëndimin, ndërsa grupet pro-erdoganiste në Shqipëri po lëvizin drejt Opozitës…
Zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri po afrojnë, dhe për herë të parë Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, nuk e ka dhënë mbështetjen e tij të zakonshme për “mikun Edi Rama”. Burime të sigurta brenda qarqeve erdoganiste në Tiranë i thanë Pamfletit se pritet një mesazh i ashpër, një fatwa politike, që Erdogan do ta bëjë publik para ditës së zgjedhjeve.
Mesazhi i Erdoganit mund të shfaqet si intervistë në një televizion rajonal ose në formën e një deklarate të lexuar në faljen e së premtes nga një figurë e autorizuar. Ky mesazh nuk do të jetë një mbështetje direkte për kundërshtarët e Ramës, por një akuzë e ashpër se kryeministri shqiptar është lidhur ngushtë me interesat izraelite.
Në prag të zgjedhjeve, fondacionet erdoganiste kanë intensifikuar lobimin me media dhe analistë që financojnë, duke sulmuar ashpër Ramën. Këto përfshijnë jo vetëm platforma tradicionalisht kundër Ramës, si “Mexhlisi”, por edhe zëra që për 12 vite ishin mbështetës të tij dhe tani po ndryshojnë qëndrim.
Konflikti mes Erdoganit dhe Ramës lidhet me dy arsye të rëndësishme: së pari, Rama refuzoi të vendoste në listën e kandidatëve pesë emrat që Erdogan ia kishte kërkuar personalisht; së dyti, Rama ka krijuar një lidhje direkte me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohamed Bin Selman, duke shmangur kështu influencën turke në rajon.
Arabia Saudite, me ndihmën e SHBA-së, ka vendosur nën influencë Katarin, Emiratet e Bashkuara dhe Egjiptin, duke kufizuar fuqinë e Erdoganit në rajon. Kjo ka shkaktuar irritim të madh te Erdogani, aq sa Rama ka shtyrë një vizitë të planifikuar në Riad për të shmangur acarimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.
Ndikim vendimtar në ndryshimin e qasjes së Ramës kanë pasur Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, të cilët janë vendosur të kufizojnë rolin e Turqisë në Ballkanin Perëndimor. Në këto kushte, Rama si një oportunist i sprovuar, ka ndryshuar pozicion nga lider musliman drejt lideri pro-perëndimor.
Frika kryesore e Ramës tani është ndikimi elektoral që mund të ketë mesazhi i Erdoganit në qarqet shqiptare me popullatë pro-turke. Erdogani synon të krijojë një strukturë politike në Shqipëri, të ngjashme me “Aksionin Demokratik” në Bosnjë dhe “Besën” në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, më 11 maj, vota e grupeve pro-erdoganiste pritet të kalojë drejt Opozitës, përfaqësuesit me të cilët Erdogan ka shtuar ndjeshëm kontaktet kohët e fundit./Pamfleti