Marreveshja e fshehte e Tom Doshit me Edi Ramën! Ja plani i tyre pas zgjedhjeve

Bilbil Dervishi, këshilltari për sigurinë dhe postën sekrete i ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, i besuar për informacionet më sensitive të vendit dhe partnerëve ndërkombëtarë, kandidon për PSD-në e Tomë Doshit, të shpallur “non grata” për lidhje me krimin…

Një situatë e paprecedentë ka dalë në dritë, duke ekspozuar një skandal të rëndë sigurie në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë. Bilbil Dervishi, këshilltar për Sigurinë dhe Postën Sekrete i ministrit Ervin Hoxha, është regjistruar si kandidat për deputet në listën e Partisë Social-Demokrate (PSD), drejtuar nga Tomë Doshi, i shpallur “non grata” nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe me dosje penale në Australi për trafik droge, pastrim parash, korrupsion e porositje vrasjesh me pagesë.

Bilbil Dervishi është zyrtari që administron dhe ka akses ekskluziv në postën sekrete dhe informacionet sensitive që ministri Ervin Hoxha shkëmben me institucionet kryesore të sigurisë së vendit, përfshirë Kryeministrinë, Policinë e Shtetit, SHISH-in, Prokurorinë, SPAK-un, BKH-në, Anti-terrorin, Anti-trafikun, Anti-kontrabandën, Interpolin, Doganat, si dhe me agjencitë e huaja partnere të sigurisë si FBI, CIA, DEA dhe EUROPOL.

Kandidimi i Dervishit me partinë e Tomë Doshit paraqet një konflikt të rëndë interesi dhe ngre dyshime të forta mbi sigurinë e informacionit dhe integritetin e institucioneve shqiptare. Sipas ligjit për dekriminalizimin dhe standardeve të funksionarëve të lartë, një zyrtar i tillë nuk duhet të ketë asnjë kontakt apo bashkëpunim me persona që janë subjekt i hetimeve penale apo të përfshirë në aktivitete kriminale, e aq më tepër me një figurë si Tomë Doshi.

Edhe pse nuk ka prova direkte se Bilbil Dervishi ka dekonspiruar informacione sekrete te kreu i PSD-së, lidhja e tij politike me Tomë Doshin, e konsoliduar që në zgjedhjet e vitit 2021 dhe përsëritur tashmë në zgjedhjet e 11 majit 2025, është e mjaftueshme për të hedhur hije dyshimi mbi sigurinë kombëtare.

Ky fakt alarmant vë në pikëpyetje serioze jo vetëm integritetin e Ministrisë së Brendshme dhe ministrit Ervin Hoxha, por edhe angazhimin real të qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit./Pamfleti