Me një Audi të blinduar dhe truproja të pozicionuar me rigorozitet të jashtëzakonshëm, që kujtonin stilin e sigurisë së lartë të parë vetëm në shoqërimin e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, kreu i SPAK Altin Dumani zbarkoi sot në Prokurorinë e Shkodrës. Ai thirri në një mbledhje urgjente kryeprokurorin e qarkut, drejtorin e policisë dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve ligjzbatuese, për të dhënë urdhra të prerë dhe mesazhe të pakompromis lidhur me hetimin dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore.
Sipas burimeve, Dumani theksoi se SPAK ka tashmë procedime konkrete në duar që lidhen me shitblerjen e votës dhe ndërhyrjet kriminale në procesin zgjedhor. Ai kërkoi që çdo deklaratë publike apo akuzë për manipulim të votës të mos kalojë pa reagim, por të shoqërohet me thirrjen e personave për kallëzim në polici dhe prokurori, duke bërë të qartë se neglizhenca nuk do të tolerohet. Dumani nënvizoi se strukturat ligjzbatuese duhet të jenë maksimalisht vigjilente, sidomos në këto ditë të fundit të fushatës elektorale, ku përpjekjet për blerje apo intimidim të votës shtohen ndjeshëm.
Por prania e kreut të SPAK në Shkodër nuk është rastësi. Ky qytet ka qenë historikisht një nga pikat më të nxehta të manipulimeve elektorale, ku grupi i njohur kriminal i Bajrajve është akuzuar shpesh për mbështetje ndaj Partisë Socialiste në pushtet, përmes ndikimit të paligjshëm në zona dhe komunitete të tëra. Pikërisht për këtë arsye, mesazhi i Dumanit ishte i qartë: kushdo që do të guxojë të vendosë dorën mbi votën e lirë të qytetarëve, do të përballet me goditjen e pamëshirshme të drejtësisë së re.
Në përmbyllje të takimit, kreu i SPAK vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm të policisë dhe prokurorisë lokale, por njëkohësisht bëri të qartë se koha e kompromiseve dhe e tolerancës ndaj krimit zgjedhor ka marrë fund. Ai la pas një mesazh të fortë politik dhe institucional: askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht se kujt i shërben apo nga kush mbrohet.