Një tjetër rast i dyshuar për shitblerje votash është denoncuar mbrëmjen e së premtes në redaksinë e JOQ Albania, vetëm një ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Ngjarja ka ndodhur pranë zyrave elektorale të Partisë Socialiste në Maqellarë.
Sipas qytetarit që ka dërguar pamjet, brenda në automjetin e ndaluar me xhama të zinj dyshohet se ndodhet kandidati i PS për deputet, Agron Malaj, dhe një zyrtar i lartë me post drejtor në qarkun e Dibrës.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet për përfshirje në shpërndarje parash për blerjen të votave.
Pamjet filmike të dërguara tregojnë automjetin në fjalë të bllokuar nga policia dhe disa persona të tjerë civilë.
Sipas denoncuesit, mes tyre ndodhen dhe katër kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike, të cilët ndodhen aty për të monitoruar situatën se si do të trajtohet rasti. Qytetari denoncon se ngjarja po zhvillohet prej më shumë se një ore, ndërsa prokuroria ende nuk ka mbërritur në vendngjarje për të kryer verifikimet përkatëse.
Sipas dëshmitarit, pranë shtabit të Partisë Socialiste ndodhen të gjithë drejtorët rajonalë të institucioneve si ujësjellësi dhe spitali, të cilët janë aktualisht të izoluar nga policia.
“Jam në vendngjarje. Është e gjithë policia e Dibrës këtu dhe katër kandidatë për deputetë. Brenda në makinë dyshohet se ndodhet kandidati i PS për deputet Agron Malaj dhe një drejtor në Bashki. Ka një orë që presim, akoma nuk ka ardhur prokurori.Ke shtabi i ps janë gjithë drejtorët rajonal, Ujësjellësit,Spitalit. Janë izoluar nga policia” thuhet në mesazhin e qytetarit.
Situata, sipas raportimeve, është ende në zhvillim dhe ka vijuar edhe pas mesnate. Pritet reagimi i autoriteteve për të sqaruar nëse kemi të bëjmë me një rast të vërtetë të shitblerjes së votës apo jo.
JOQ Albania do të ndjekë nga afër zhvillimet dhe do t’ju informojë me çdo detaj të ri.