Rreth orës 13:00 të ditës së sotme, një incident është regjistruar në qendrën e votimit në Maqellarë të Dibrës. Sipas raportimit të gazetares së Euronews Albania, një kandidat i Partisë Socialiste ka goditur një komisioner të së njëjtës forcë politike, duke shkaktuar shqetësim në ambientet e votimit.
Ndërkohë, tensionet në këtë bashki kishin nisur që mbrëmjen e kaluar, kur në fshatin Pilafe u shënuan përplasje mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. PD ka denoncuar publikisht se dy automjete të dyshuara po shpërndanin para në këmbim të votave në këtë zonë.
Po sipas Partisë Demokratike, në këtë aktivitet të paligjshëm është përfshirë edhe babai i kandidatit të PS-së, Daniel Gjura, i cili pretendohet të jetë filmuar në një akt të dyshuar të blerjes së votave. Sipas versionit të PD-së, gjatë momentit të përplasjes është krijuar një situatë tensioni, pas së cilës babai i kandidatit është larguar me nxitim nga vendi i ngjarjes. Partia Demokratike pretendon se gjatë largimit, ai ka qëlluar me armë në ajër.