Teksa janë numëruar mbi 28% e votave në rang vendi, rezultatet paraprake tregojnë një avantazh të thellë për Partinë Socialiste, e cila kryeson me 53% të votave dhe parashikohet të sigurojë 83 mandate në Kuvend.
Partia Demokratike renditet e dyta me 34% të votave, duke marrë deri tani 51 mandate.
Edhe pse në nivel kombëtar PD rezulton ndjeshëm më pas, ajo vijon të ruajë bastionet e saj tradicionale në veri të vendit; Shkodrën dhe Kukësin, dy qarqet e vetme që aktualisht paraqiten blu në hartën zgjedhore.
Ndërkohë, Partia Socialdemokrate e Tom Doshit ka marrë 4% të votave, që përkthehet në 3 mandate.
Gjithashtu deri më tani kanë arritur të sigurojnë përfaqësim: Nisma SHB dhe Mundësia me nga 3% të votave kanë fituar nga një mandat secila, ndërsa Bashkë me 1% të votave ka marrë gjithashtu një mandat. Partitë e tjera deri në këtë fazë të numërimit nuk kanë arritur të sigurojnë mandate në Kuvend.
Në një prononcim per A2 CNN, drejtuesi politik i PD në Durrës, Oerd Bylykbashi, u shpreh se kutitë që janë hapur deri më tani në Qarkun ku ai kandidon, i përkasin zonave, ku tradicionalisht është blerë vota nga PS dhe se demokratët presin kutitë e qytetit bregdetar për të bërë ndryshimin.
“Në këtë moment ajo që pamë gjatë gjithë fushatës tregon se dominanca e zgjedhësve në qarkun e Durrësit kërkon ndryshimin. Këtu janë duke u hapur aktualisht kuti që janë ndër më të prekurat në mënyrë historike nga shitblerja e votës. Ne kemi referuar në SPAK një numër të lartë personash, por në këtë qendër numërimi këto kuti që janë hapur tani, rezulton se në mënyrë sistematike PS prej shumë vitesh i ka pasur si basen votash të blera. Pak më vonë do të hyjmë në zonat e qytetit ku do të shihet ndryshimi”, u shpreh Bylykbashi.
Ai po ashtu u ndal te procesi i votimit duke konstatuar një sërë problematikash, por me theksin e vendosur tek intimidimi i votuesve nga njerëz të paautorizuar pranë QV-ve, që shoqëroheshin nga eksponentë kriminalë.
“Procesi i votimit nuk ka patur asnjë përjashtim në raport me shkeljet tradicionale absolutisht të papranueshme të procesit zgjedhor. Prezencë e lartë e personave të paautorizuar pranë qendrave të votimit, e gjitha kjo në funksion të presionit mbi zgjedhësit. Sigurisht edhe pse janë vendosur mekanizma të rinj, vullneti për ta shkelur këtë ka bërë që përsëri të mbetet problem intimidimi i zgjedhësve. Janë konstatuar sidomos në javën e fundit fenomenet e shitblerjes së votës. Kemi parë mungesë të plotë veprimi nga Task Forca që u trumbetua më të madhe. Nuk u pa asgjë ndaj organizata kriminale patën mundësi të veprojnë. Gjithsesi mbetet për tu parë cili është efekti i veprimtarisë elektorale, pasi kemi parë asfalt elektoral edhe në pasditen para zgjedhjeve”, deklaroi Bylykbashi