11 maji që e shndërroi Ramën në lider absolut, a kemi më Republikë? Cfare pritet te ndodhe ne Shqiperi

Shqipëria në dorën e një njeriu: Mandati i katërt që rrezikon demokracinë…

Rezultati i zgjedhjeve të 2025-ës nuk është thjesht një fitore elektorale për Partinë Socialiste, është një dritë e kuqe për demokracinë shqiptare.

Edi Rama, duke marrë për të katërtën herë radhazi pushtetin dhe duke siguruar 83 mandate në Kuvend – aq sa i nevojiten për të kaluar çdo ligj pa asnjë bllokim – është tani më shumë se një kryeministër: është një figurë që komandon të gjitha hallkat e shtetit shqiptar, nga parlamenti, tek buxheti, tek drejtësia dhe mediat.

Nëse e llogarisim edhe mbështetjen joformale nga Partia Socialdemokrate e Tom Doshit, atëherë Rama ka në dorë shumicën e cilësuar, që i jep të drejtë të ndryshojë edhe ligje që kërkojnë 3/5 e votave, pa pasur nevojë për asnjë negociatë me opozitën. Ky është rreziku i vërtetë: jo fitorja si e tillë, por ajo që mund të bëhet me këtë fuqi absolute.

Në çdo sistem demokratik, forca e shumicës duhet të balancohet nga kontrolli i institucioneve të tjera, por në Shqipëri këto balanca janë asimiluar ose neutralizuar. Opozita është e përçarë, Parlamenti është kthyer në noter të qeverisë, pjesa më e madhe e mediave janë ose të blera, ose të frikësuara, ndërsa drejtësia – edhe pse e reformuar – ende nuk ka treguar se mund të godasë të pushtetshmin. Në këtë kontekst, Edi Rama ka gjithçka për të qeverisur i vetëm, pa asnjë frenë, pa asnjë kontroll të vërtetë. Dhe kur pushteti përqendrohet kaq fort në duart e një njeriu të vetëm, rrëshqitja drejt autokracisë nuk është çështje nëse, por kur.

Nëse analizojmë krahasimet me regjime të tjera të ngjashme në rajon, ngjashmëritë janë alarmante. Recep Tayyip Erdoğan në Turqi nisi si reformator dhe përfundoi si autokrat, duke përdorur zgjedhjet për të blinduar pushtetin e tij dhe për të zhbërë liritë civile. Viktor Orbán në Hungari ndryshoi sistemin zgjedhor për të favorizuar partinë e tij dhe e ktheu Kushtetutën në instrument të pushtetit personal.

Aleksandar Vuçiç në Serbi përdori mediat dhe drejtësinë për të eliminuar çdo opozitë reale, duke e kthyer parlamentin në një teatër të boshatisur nga pluralizmi. Edi Rama, ndryshe nga këta tre, nuk ka pasur nevojë të ndryshojë sistemin zgjedhor për të fituar – ai e ka kthyer politikën shqiptare në një strukturë të mbyllur, ku pushteti nuk konkurron, por vetëprodhohet.

Autokracia moderne nuk shpallet me grusht shteti – ajo ndërtohet me votë, me kontroll të institucioneve, me konsum të pandërprerë të propagandës dhe me kapje sistematike të çdo zëri të pavarur. Ajo maskohet si stabilitet, paraqitet si “zgjedhja e popullit”, por në thelb është sundim i pakontrolluar i një elite të vetme, që e sheh shtetin si mjet për të qëndruar në pushtet pafundësisht.

Në Shqipëri, kemi tashmë të gjitha elementet: një udhëheqës që ka kaluar çdo test elektoral, një Kuvend që mund të ndryshojë çdo ligj, një drejtësi që ende ngurron të prekë pushtetin dhe një shoqëri që është lodhur nga rezistenca, që po shpërbëhet mes emigrimit dhe dëshpërimit.

A jemi përballë një autokracie? Jo sipas rregullave të shkruara, por po sipas realitetit politik. Kur pushteti nuk sfidohet dot, kur fjalët e pakicës nuk dëgjohen, kur gjithçka vendoset në zyrën e një njeriu të vetëm, nuk jemi më në një republikë parlamentare, por në një regjim personal.

Në fund, problemi nuk është Edi Rama si individ, por sistemi që e ka lejuar këtë përqendrim pushteti. Të katër mandatin e tij nuk është thjesht sukses elektoral – është një sirenë alarmi për çdo qytetar që ende beson te demokracia. Dhe kjo alarm nuk mund të injorohet më gjatë. /Pamfleti