Ajo që filloi si një ngjarje festive e fushatës u shndërrua shpejt në një skenë tmerri në shtetin meksikan të Veracruz të dielën në mbrëmje, kur një kandidat për kryetar bashkie u qëllua për vdekje së bashku me tre persona të tjerë.
Skena u transmetua drejtpërdrejt në Facebook. Videoja tregon Yesenia Lara Gutierrez, që përfaqëson partinë në pushtet Morena të Meksikës, duke përshëndetur banorët dhe duke parakaluar me një grup mbështetësish, në një atmosferë festive, siç raportohet nga CNNi .
Turma qesh, këndon dhe thërret slogane derisa zhurma e të shtënave mbyt gjithçka. Dëgjohen të paktën 20 të shtëna të njëpasnjëshme, ndërsa kamera vazhdon të filmojë.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, e konfirmoi sulmin gjatë një konference për shtyp. Ajo tha se aktualisht nuk ka një pamje të qartë të motivit dhe shtoi se qeveria federale po koordinohet me autoritetet e Veracruz dhe po ofron të gjithë mbështetjen e nevojshme, përfshirë bashkëpunimin me prokurorin e përgjithshëm të shtetit.
“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me Ministrin e Sigurisë Publike, duke ofruar mbështetje të plotë për Veracruzin dhe Durangon, përpara zgjedhjeve të 1 qershorit”, tha ai.
Zyra e prokurorit të Veracruz njoftoi se 4 persona u vranë në sulm, përfshirë Yesenia Lara Gutierrez, një kandidate për partinë në pushtet Morena, ndërsa tre të tjerë u plagosën.
“Asnjë pozicion apo zyrë nuk vlen sa një jetë njerëzore”, shkroi guvernatorja e Veracruz-it, Rocio Nale, në platformën X (ish Twitter). “Do t’i gjejmë ata që janë përgjegjës për këtë vrasje frikacake të kandidates Morena dhe mbështetësve të saj në Texistepec.”