I ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’, gazetari Enton Abilekaj deklaroi se çdo grup kriminal ka përfaqësuesin e vet në parlament, duke e cilësuar këtë si një nga aleancat aktuale në pushtet.
Sipas tij, ndryshe nga koalicionet e hapura të opozitës në të kaluarën, aleancat e Ramës janë të fshehta dhe të ndërtuara me krimin, biznesin, median dhe kontrollin e pushteteve, me synimin për të manipuluar zgjedhjet.
Ai shtoi se vetëm pas shpalljes së fituesve do të mund të kuptohet plotësisht çfarë do të drejtojnë këta individë.
Po të shohim listat me vëmendje, do të vërejmë se çdo grup kriminal ka përfaqësuesin e vet në parlament. Kjo është një nga aleancat që kemi sot në pushtet. Në të kaluarën kemi pasur një koalicion opozitar të përbërë nga shumë parti.
Ndërsa koalicionet e Ramës janë të fshehta dhe nuk përbëhen nga parti politike, por nga krimi, biznesi, pronarët e mediave, kontrolli i pushteteve, të gjitha të vëna në funksion të zgjedhjeve, duke shkelur çdo kod dhe çdo ligj.
Pasi të shpallen emrat e fituesve, do të mund të hartojmë një listë të plotë se çfarë do të drejtojnë ata.
I ftuar në ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, edhe gazetari Artan Hoxha është shprehur se, në çdo qark të madh, bandat kriminale kanë nga një deputet të tyre në listën e grupit parlamentar të Edi Ramës.
Dhe unë po them vetëm një gjë; shikoni tabelën e votës nominale, shikoni ku janë thyer rekordet. Qarku i Tiranës, çuditërisht votat e mëdha i kanë marrë ministrat e rëndësishëm.
Po zbrite në Elbasan ty të del një kandidat krejtësisht i panjohur. Si është e mundur që vjen me këtë diferencë kaq të thellë dhe kaq të madhe. Shkon në Durrës dhe gjen një kandidat tjetër, i cili konkurron vetëm me Elbasanin.
Shko në Lezhë, ke një kandidat tjetër. Në Fieri, ke një kandidat tjetër. Edhe në burgje ka fituar thellë. Ata që e ndihmuan për mandatin e tretë janë në burg, dhe e kanë ndihmuar edhe për mandatin e 4-të. Edhe në Korenë të Veriut nuk ndodh kjo gjë.
Gazetarja Klodiana Lala, duke bërë një pasqyrë të ndikimit të krimit në zgjedhje, deklaroi se rasti i deputetes së PS që pritet të dali me rekord votash në Elbasan, Sara Mila, është i çuditshëm, pasi një person i panjohur është renditur e para me një numër të lartë votash.
E ftuar në Të Paekspozuarit, Lala bëri thirrje se i takon SPAK të provojë nëse Mila ka sponsorë nga krimi i organizuar, konkretisht nga grupi i Suel Çelës.
Lala: Kuptuar që patronazhimi është skemë perfekte e ndërtuar nga mazhoranca socialiste, që ka mundësuar një numër të lartë madatesh, ka krijuar frikë për të votuar subjekte të tjera. Qytetarët kur i pyet për kë votuat, jashtë kameras e tregojnë, por kishin frikë se mos zbulohej se ku dërgonin votën.
Shqipëria është zbrazur, pjesa dërrmuese është administratë, u është kërkuar të sjellin vota të fotografuara nga diaspora.
Krimi ka patur ndikim e vet. Në Elbasan, Sara Mila është një zonjë pa asnjë kontribut publik, por rezulton gruaja më e votuar në qarkun e Elbasanit. Si ka mundësi një grua që nuk njihej nga 90% e qytetarëve?
Po të flasësh me qytetarë në Elbasan apo Librazhd, ata të tregojnë dhe të thonë, jo vetëm mua si gazetare, por edhe të BIRN, ku qytetarët orientoheshin për të votuar këtë zonjë. Fakti që nuk kishte kontribut publik dhe rezulton më e votuara, kjo ngre dyshime që krimi i organizuar ka ndikuar. Dyshohet se ka patur ndikim grupi i Suel Çelës, këtë mbetet ta provojë SPAK.
Zonja mund të dalë të japë reagimin e vet. Po të bisedosh me qytetarët, ishin orientuar drejt kësaj zonje. Ka me kontribut shumë të çmuar brenda PS, që nuk kanë marrë vota.
Të shkosh në Durrës, e dinim Arkend Ballën dhe Anri Dyrmishin se cfarë rezultati do të kishin.