“Kristian mos më luaj me dy porta, Kristian! Mos më luaj me dy porta!”
Këto ishin fjalët e kryeministri Edi Rama në Vaun e Dejës, në një takim përmbyllës të fushatës me strukturat atje. Vetëm një javë nga dita e zgjedhjeve, Edi Rama e paralajmëroi publikisht kryebashkiakun socialist që të mos bëhej palë me Tom Doshin.
Zërat se situata nuk ishte fort e qetë në zonë kishin shkuar dhe në veshin e kryeministrit, ndaj dhe Edi Rama si rrallëherë, u detyrua ta paralajmëronte publikisht Kristian Shkrelin që të mos luante me dy porta.
Që kryebashkiaku socialist nuk e dëgjoi apelin e kryetarit, kjo është pak po e sigurt, por nëse ai u përfshi në fushatë për Tom Doshin dhe ka përdorur pushtetin lokal për të mbushur “thesin” e PSD-së, këtë do ta provojë Prokuroria e Posaçme.
Siç raportohet, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zbarkuar në Vaun e Dejës dhe i kanë sekuestruar celularin Kristian Shkrelit, shoqëruesit të Tom Doshit, si dhe disa zyrtarëve të Partisë SocialDemokrate.
Kristian Shkreli është zgjedhur kryebashkiak i Vaut të Dejës në zgjedhjet e 14 Majit 2023, nën siglën e Partisë Socialiste, por mesa duket situata ka ndryshuar edhe në bazë menjëherë pas krisjes së marrëdhënies mes aleatëve Rama-Doshi.
Për vite me radhë, Tom Doshi ka qenë një figurë e diskutueshme, por gjithashtu një bashkëpunëtor i heshtur i pushtetit. Megjithatë, para zgjedhjeve vendimtare të 11 majit 2025, gjithçka ndryshoi. Edi Rama, i shtyrë nga presioni ndërkombëtar dhe sidomos nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, e “shiti” aleatin e tij të vjetër politik, duke e lënë në baltë në mënyrë të qëllimshme dhe të organizuar. Ky ndryshim kursi nuk ishte i rastësishëm. Përkundrazi, ai u parapri nga një sërë zhvillimesh që e bënë të pamundur mbajtjen e një aleance me një figurë që është pjesë e listës së zezë të SHBA për “korrupsion domethënës”.
Marrëdhënia e hershme e Ramës me Doshin, e bazuar mbi interesa elektoralë dhe ndikim lokal, mori fund sapo aleatët strategjikë të Shqipërisë dërguan sinjale të qarta: nuk do të tolerohet asnjë bashkëpunim me individë të sanksionuar. Pikërisht para zgjedhjeve të 11 majit, sinjalet ndërkombëtare u bënë më të forta se kurrë. Ambasadori britanik në Tiranë, Nick Abbott, gjatë një takimi me kreun e KQZ-së Ilirjan Celibashi, artikuloi një mesazh të qartë dhe të prerë: integriteti i kandidatëve dhe zbatimi i ligjit të dekriminalizimit janë të panegociueshme. Në të njëjtën linjë, SHBA nënvizoi përmes kanaleve joformale se çdo bashkëpunim me persona të shpallur “non grata” do të sillte pasoja për qeverinë shqiptare dhe vetë procesin zgjedhor. Ky mesazh detyroi Edi Ramën të distancohej publikisht dhe praktikisht nga Tom Doshi dhe Partia Socialdemokrate (PSD).