Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje nga Forumi ndërkombëtar Future Investment Initiative për të bërë investime në Shqipëri, duke u shprehur se vendi ynë ka një udhëheqje të fortë.
Emmanuel Macron: Është jashtëzakonisht mirë që t’ju kemi në Europë, vini nga anë të ndryshme të botës. Ky është një vend stabël dhe i besueshëm. Në këtë botë mos i nënvlerësoni fuqitë e cilësive të tilla.
Jam shumë i lumtur që jeni këtu, përtej shakave që bëj me kryeministrin Edi Rama, sepse këtu në Shqipëri qartësisht keni në fakt pikën hyrëse në këtë rajon të Ballkanit Perëndimor, por edhe më gjerë, është një pikë kyçe në Mesdhe ndaj ju inkurajoj të investoni në Shqipëri sepse keni një udhëheqje të fortë.
Nuk flas vetëm sepse është miku im, por ka sjellë rezultate, dhe në dy vitet që vijnë duke qenë se ka një mandate të qartë, do të jenë pjesë e BE-së dhe dua që të dini, të jeni të sigurt që ne si europianë do të japim rezultate tashmë që kemi një linjëzim të fortë midis Francës dhe Gjermanisë, do të bëjmë maksimumin që të realizojmë agjendën që folëm. Ju lutem investoni në Europë, besojini Europës, kemi nevojë për investimin tuaj, besimin tuaj në mënyrë që të realizojmë agjendën ambicioze.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi nga Tirana se është një avokat i mbylljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, deri në vitin 2027.
macron
“Nëse integrojmë vende shumë të qëndrueshme, pa luftë, pa destabilizim, nëse arrijmë një hapësirë më të mirëintegruar, përtej BE, natyrisht që jam një avokat i anëtarësimi dhe i mbylljes në 2027”, tha ai.
Macron u shpreh se përtej Bashkimit Evropian është një Evropë më e madhe, që janë Ballkani Perëndimor, Mbretëria e Bashkuar, Ukraina.
“Kjo Evropë më e madhe është vend me mbi 650 milion banorë që nuk merren në konsideratë as nga pikëpamja gjeopolitike, as nga ajo financiare”, tha ai, ndërsa bëri thirrje për t’i integruar dhe më mirë këto vende me BE.
Macron: Besoj fort se përtej BE, kemi një Europë më të madhe që janë Ballkani Perëndimor, Mbretëria e Bashkuar, Ukraina. Kjo Evropë më e madhe është vend me mbi 650 milion banorë që nuk merren në konsideratë as nga pikëpamja gjeopolitike, as nga ajo financiare.
Le t’i integrojmë edhe më mirë këto vende, le të punojmë së bashku për ekonominë, emigracionin, mbrojtjen, tregtinë. Nëse ne e bëjmë këtë, integrojmë vende shumë të qëndrueshme, pa luftë, pa destabilizim, nëse arrijmë një hapësirë më të mirëintegruar, përtej BE, natyrisht që jam një avokat i anëtarësimi dhe i mbylljes në 2027.