Fatmir Xhafaj është rikthyer sërish në Parlament, duke thyer për herë të dytë tentativën e kryeministrit Edi Rama për ta “pensionuar” politikisht. I renditur i 17-ti në listën e hapur të PS-së në Tiranë, Xhafaj ka grumbulluar 12,530 vota preferenciale – një rezultat që e ngjit sërish në karrigen e deputetit, pavarësisht vendosjes së tij në periferi të listës.
Kjo është hera e dytë që Rama e “dënon” politikisht Xhafajn duke e vendosur në pozita të pashpresa për mandate – fillimisht në vitin 2021, ku e renditi të 23-in, dhe tani sërish në vitin 2025. Por në të dyja rastet, ish-ministri i Brendshëm ka sfiduar direkt vullnetin e kryeministrit, duke treguar se nuk është një “senator” i zakonshëm i Partisë Socialiste.
A është ky një sukses i pastër elektoral? Apo mbështetje e orkestruar përmes strukturave të errëta që Xhafaj, si figurë politike me rrënjë të thella në sistem, nuk i ka humbur kurrë?
Emri i Fatmir Xhafajt nuk është pa ngarkesë. Ai është përballur në të kaluarën me skandale të rënda, përfshirë edhe publikimin e një audio-përgjimi ku flitej për përfshirjen e të vëllait të tij, Agron Xhafaj, në trafik ndërkombëtar droge. Rasti tronditi opinionin publik dhe solli dorëheqjen e tij si ministër i Brendshëm në vitin 2018, por kurrë nuk solli një hetim të thelluar institucional për rolin dhe lidhjet që mbeten të dyshimta deri më sot.
Agron Xhafaj ka qenë i dënuar nga drejtësia italiane dhe ndonëse më pas u vetëdorëzua në Itali për të vuajtur dënimin, lidhja mes emrit të tij dhe fuqisë së pazakontë që vëllai i tij politik vazhdon të gëzojë, nuk është kurrë çmontuar nga sytë e opinionit publik.
Fakti që Fatmir Xhafaj arrin të hyjë në Kuvend përmes listës së hapur, në sfidë direkte me vendimet e Ramës dhe pa mbështetje nga makineria e partisë, flet qartë për një forcë politike që nuk buron vetëm nga baza elektorale e zakonshme.
Ai mbetet një nga figurat më të heshtura, por më të rëndësishme të PS-së në prapaskenë – një “senator i pathyeshëm” që nuk zhduket dot me lëvizje nga zyra e Kryeministrisë. Për shumëkënd, rikthimi i tij është dëshmi e një rrejte pushteti që i mbijeton edhe vullnetit të kryetarit të partisë, dhe ndoshta edhe reformës që ai vetë ndihmoi të hartonte: drejtësisë.
Për momentin, Fatmir Xhafaj është sërish deputet. Por pyetja që vlen të shtrohet është: a do të guxojë Edi Rama që në zgjedhjet e ardhshme ta “sakrifikojë” sërish? Apo do të kuptojë më në fund se ka disa figura që nuk i komandon dot as lista, as partia, as reformimi i përkohshëm?
Sepse Xhafaj, me të gjitha hijet që e ndjekin, është një emër që nuk del kurrë nga loja – edhe kur bën sikur nuk do të luajë më.