Faqja zyrtare në Facebook e Arlind Qorit, një prej politikanëve më të artikuluar dhe zë i fortë i së majtës kritike në Shqipëri, është sulmuar masivisht online dhe aktualisht rezulton e pezulluar. Qori, kryetar i Lëvizjes BASHKË dhe deputeti më i ri i zgjedhur në Parlament nga kjo forcë politike, ka qenë një ndër zërat më të guximshëm kundër kapjes së shtetit, oligarkisë dhe korrupsionit të sistemit politik aktual.
Sulmi ndaj faqes së tij në rrjetin social Facebook ndodh pikërisht në një moment kur Qori po fiton gjithnjë e më shumë terren si përfaqësues i alternativës politike jashtë sistemit tradicional dhe pas një fushate intensive që solli përfaqësimin e Lëvizjes BASHKË në Kuvend.
Ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga vetë Arlind Qori apo ekipi i tij, por shumë mbështetës e kanë denoncuar pezullimin si një përpjekje për të heshtur zërat kritikë dhe për të ndikuar në debatin publik që po merr hov pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Ky zhvillim ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale, ku mbështetësit e Qorit e kanë cilësuar ngjarjen si një “akt censure” dhe “tentativë për të shtypur mendimin ndryshe nëpërmjet mjeteve teknologjike”.
Pritet që Lëvizja BASHKË të reagojë zyrtarisht në orët në vijim dhe të kërkojë transparencë nga platforma Meta në lidhje me motivet dhe origjinën e këtij sulmi.