Një 36-vjeçar shqiptar është gjetur i varur dhe në gjendje të dekompozuar brenda një magazine në zonën e Tyrnavos në Greqi.
Mediat në vendin fqinj raportojnë se i ndjeri, identiteti i të cilit nuk është bërë me dije, punonte si punëtor tokash në këtë zonë. Identifikimi i trupit u bë pasi disa miq të tij kontaktuan me mediat lokale greke dhe e njohën atë nga përshkrimi dhe imazhet e publikuara në një raportim të mëparshëm. Ata ishin në kërkim të tij prej ditësh.
Menjëherë pas kësaj, policia greke njoftoi familjen e viktimës në Shqipëri dhe nisi procedurat për informimin e plotë të tyre.
Trupi u gjet në një magazinë pranë një rruge dytësore, në një vend jo lehtësisht të dukshëm. Zbulimi u bë nga një qytetar që kishte materiale ndërtimi në një truall aty pranë dhe ndjeu erën e rëndë që vinte nga godina.
36-vjeçari ishte varur me një litar shumë të hollë, të ngjashëm me ata që përdoren për vreshtat. Mësohet se litari është këputur dhe trupi ka rënë në dysheme. Nga hetimet paraprake rezulton se magazina mund të jetë përdorur herë pas here si strehë nga persona të panjohur.
Trupi ishte në gjendje të avancuar dekompozimi, gjë që sugjeron se vdekja ka ndodhur të paktën pesë ditë më parë. Autoritetet nuk kanë përjashtuar mundësinë e një akti kriminal dhe po hetojnë në të gjitha pistat.
Trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Larisa për autopsi, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut dhe kohës së vdekjes.