asnjë marrëveshje konkrete për ngritjen e një qendre refugjatësh nuk ka qenë ndonjëherë në tryezë. Nuk ka pasur draft teknik, nuk ka pasur grup pune të përbashkët, nuk ka pasur negociatë të parapërgatitur. Thjesht një skenar i mirëmenduar për të shfaqur publikisht një “refuzim” që në të vërtetë mund të jetë vetëm një ndalesë taktike, ose më saktë: një rritje pazari.
Sepse është absurde që një lider si Starmer, që përfaqëson një fuqi globale, të marrë një “jo” nga një vend i vogël si Shqipëria dhe të largohet me buzëqeshje. Diplomati që foli për Pamfletin e përkufizoi si një “refuzim sportiv”, i cili ka diçka që nuk shkon në skenarin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Dhe kjo ka të bëjë më shumë me fazën e dytë të këtij raporti, që është personale dhe politike.
Në sfond, po qarkullon me intensitet një tezë e hershme: Edi Rama nuk do ta çojë deri në fund mandatin e katërt. Dhe për herë të parë, këtë nuk e thonë vetëm oponentët e tij, por vetë ai e ka nënkuptuar, kur në ditën e parë të fushatës së 11 majit tha se pasardhësi i tij do të jetë një grua.
Dhe nuk është aspak rastësi që në të njëjtën kohë, Lea Ypi, emri që përmendet gjithnjë e më shumë si trashëgimtare politike e Ramës ka bërë daljen e saj të parë të qartë publike. Jo si akademike, por si figurë me narrativë politike dhe europiane.
Në një postim emocional, Ypi flet për “të ndjerit si në shtëpi” në një fjalim mbi migracionin dhe kufijtë, duke theksuar se pas muajsh të tërë “pastrehë politike”, ajo ndjeu solidaritet dhe mirëkuptim. Fjalë të zgjedhura me kujdes, por që në thelb shënojnë fillimin e një pozicionimi politik, në një terren që është gjithashtu temë e debatit midis Britanisë dhe BE-së.
Ndërkohë, ajo do të flasë edhe në Sallonin e Librit të Torinos, një nga eventet më të mëdha europiane, ku sërish fokusi do të jetë mbi migracionin, kufijtë dhe identitetin. Pra pikërisht ato çështje ku sot është përfshirë Shqipëria si shtet pritës, dhe ku Rama po duket gjithnjë e më shumë si ndërmjetës i një plani më të madh ndërkombëtar.
Dhe nëse kjo grua, që mban pasaportë britanike dhe është e lidhur ngushtë me strukturat akademike dhe ideologjike të laburistëve të Keir Starmer, është vërtet ajo që mendohet, atëherë refuzimi i Ramës për qendrën e refugjatëve është thjesht një devijim i përkohshëm për të kaluar tek pjesa e dytë e planit.
Pra: Shqipëria nuk i thotë “jo” refugjatëve, i thotë “po” me një fytyrë të re.
Dhe kjo fytyrë mund të quhet Lea Ypi. Një figurë që nuk i përket as PS-së, as Rilindjes, por që vjen me firmën e laboratorëve politikë të majtë në Londër, të njëjtët që kanë projektuar liderë për vende si Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi.
Një figurë që është e patrazuar nga korrupsioni lokal, por e mbështetur nga vizioni ndërkombëtar i një Shqipërie të administrueshme, të heshtur dhe në funksion të projekteve rajonale europiane për migracionin, sigurinë dhe kontrollin e kufijve.
Në këtë kontekst, Rama nuk refuzoi asgjë. Ai la një shteg të hapur. Dhe për ta kaluar atë shteg, ndoshta nuk do të jetë ai, por dikush tjetër që nuk e mban më damkën e Sorosit, marrëveshjes me Melonin apo patronazhit të Tiranës zyrtare./Pamfleti