Ndahet nga jeta akademikja e shquar

Lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Arta Musarajt, një figurë e njohur akademike dhe ish-zv.ministre e Mbrojtjes.

Në një postim në FB, Berisha e cilëson atë si një intelektuale të shquar, pedagoge të përkushtuar dhe demokrate të vendosur, e cila la gjurmë të thella në arsimin dhe jetën publike shqiptare.

Prof.Dr Arta Musaraj mbylli sytë përgjithmonë.
Të dashur miq, intelektualja, studjuesja e shquar, zyrtarja e lartë, pedagogia e përkushtuar, demokratja e vendosur, akademikja e njohur Prof.Dr. Arta Musaraj u nda parakohe nga ne përgjithmonë.

Pasardhëse dinjitoze e një familje vlonjate të njohur, me kontribut të çmuar në Partinë Demokratike.

Prof.Dr. Arta Musaraj si pedagoge dhe Dekane, Zëvendës Rektore dhe Rektore në Universitete publike e private shqiptare, kishte një eksperiencë të gjatë në auditorët e Universiteteve brenda dhe jashtë vendit, duke e bërë atë një ndër emrat e njohur të botës akademike dhe autore tekstesh e artikujsh shkencorë dhe botuese revistash shkencore.

Gjithashtu, në harkun kohor të janarit deri në shtator të vitit 2013, ajo ka qenë dhe zëvëndës Ministre e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, detyrë të cilën e ka kryer me aftësi dhe përkushtim.

Ajo është vlerësuar me shumë tituj nga Qarku i Vlorës. Arta ishte një qytetare, bashkëshorte, bijë dhe nënë shembullore.

Duke shprehur nderimin tim më të madh për kontributin e saj të çmuar, në emër të Partisë Demokratike i shpreh familjes së saj të nderuar, ngushëllimet më të ndjera dhe lutem Zotit që shiprti i mirë i Artës të gjejë paqen e merituar. Amin.