Autoritetet italiane në bashkëpunim me ato shqiptare arritën që të finalizojnë me sukses megaoperacionin e quajtur “Ura”. Pas hetimeve të thelluara mes dy vendeve, të cilat startuan që në shtator të vitit 2021, u arrit “zbërthimi” i grupit-kriminal, pjesë të cilëve ishin edhe disa shqiptarë.
Lidhur me këtë operacion të suksesshëm ka folur së fundmi edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili theksoi se u bë i mundur goditja e një prej grupeve më të fuqishme në vend.
“Një hap tjetër të rëndësishëm kundër krimit të organizuar. I është dhënë një goditje një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri, në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. U godit nje prej grupeve më të fuqishme kriminale në vend”, tha Altin Dumani.
Ndërkohë që ashtu sikurse raportuam dhe më herët në kuadër të këtij operacioni u lëshuan 52 masa sigurie për disa eksponentë të krimit në vendin tonë, por jo vetëm. Pjesë e këtij grupi rezultoi të ishin edhe njerëz të drejtësisë shqiptare si dhe biznesmenë.
Përpos masave të sigurisë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkoi sekuestrimin e pasurive të shtetasve: Juxhin Drazhi, Ervin Zeqiri, Elvis Doçi, Adi Çoba, Ogert Shqevi, Nexhmedin Danaj dhe personave të lidhura me ta, Nazmi Shahini dhe Algerta Fejzullahu. Pasuritë e këtyre shtetasve dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike.
Konkretisht mësohet se janë sekuestruar tre restorante në qytetin e Durrësit, një Bar Kafe, 6 shoqëri tregtare dhe një televizion në qytetin e Vlorës.
Një nga pasuritë e sekuestruara i përket Adi Çobës. Nga të dhënat e përftuara nga QKB mësohet se Çoba është bashkëpronar në një restorant, bar-kafe në qytetin e Durrësit i cili quhet “FELIX VINUM”.
Një tjetër restorant i vënë në sekuestro i cili dyshohet se është ngritur falë të ardhurave të përftuara në mënyrë të paligjshme është dhe restoranti “Marquess” i pozicionuar në zonën e plazhit në qytetin e Durrësit. Administrator i këtij biznesi rezulton që të jetë Ervin Zeqiri.
Një tjetër shoqëri tregtare e sekuestruar në kuadër të këtij operacioni është dhe shoqëria tregtare “Eldemar Construction”, pronar i të cilës është 100% Elvis Doçi.
Kjo shoqëri e cila ndodhet me vendodhje në qytetin e Durrësit merret me “studim, projektim ,zbatim te punimeve dheu dhe murature,betoni,betonarmeje,marrja persiper e sipermarrjeve per kryerjen e puneve ndertuese e rrugore,detare ,hidraulike,elektrike te çdo lloji, sistemim agrar”.
Ndërkohë që dy personat e tjerë të përfshirë në këtë grup kriminal, Nexhmedin Denaj dhe Algerta Fejzullahu nuk janë emra të panjohur për drejtësinë shqiptare.

Emri i tyre u lakua në media dy vite më parë, kohë kur policia spanjolle dhe Europol goditën grupin kriminal me 27 anëtarë të cilët pastruan 65 milionë euro, para të përftuara nga trafiku i kokainës.
Dy prej tyre, ishin dhe Denaj me Fejzullahun, çifti vlonjat të cilët nuk justifikonin pasuritë e tyre. Asokohe u tha se Denaj kishte rol kryesor në grupin kriminal, pasi lëvizte paratë e trafikut të kokainës përmes kompanisë “General Trading LLC”, me seli në Dubai
Ndërsa bashkëshortja e tij, Algerta, themeloi në 2013 kompaninë “Dubai im”, në Lungomare të Vlorës, me përshkrimin si agjenci turistike, në fushën e turizmit, hoteleri, restorante, bar-kafe, import-eksport, transport për llogari të vetë dhe për të tretë, shërbime taksi, dhënie e marrje e mjeteve të transport me qira etj.
Siç u tha dhe më herët “Dubai im” dyshohet se përdorej për lëvizjen e parave të pista. Gjithashtu, emri i kompanisë nuk është quajtur rastësisht “Dubai im”, pasi rezulton se bashkëshorti i saj është pronar i kompanisë “General Trading LLC”, me seli në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe. Kompani e cila ka qarkulluar miliona euro.
Gjithashtu, Danaj është bashkëpronar në televizionin kabllor “Vlora”, televizion i cili është vënë në sekuestro së fundmi nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të operacionit “Ura”.
Sa masa sigurie janë lëshuar:
Prokurori Vladimir Mara bëri me dije se në kuadër të këtij operacioni gjithsej u lëshuan 51 mara arrest me burg, si dhe një urdhër ndalimi.
Konkretisht 29 masa sigurie u lëshuan në Shqipëri, të gjitha arrest me burg, ndërsa në Itali janë lëshuar 22 urdhër-arreste. Deri më tani janë ekzekutuar gjithsej 40 masa sigurie.
“Ne kemi parë që ka pasur një organizim të mirëfilltë kriminal, por që në vetvete ka pasur tre nënndarje të tjera, të cilët kishin aktivitete kriminale nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të Evropës, Italisë dhe Shqipërisë. Të gjithë kishin rol më vete.
Disa prej masave të sigurisë janë vendosur për personat që bënin të mundur transferimin e parave në drejtim të Shqipërisë dhe për një shtetas që bënte transferimin e parave në kripto”, tha ai ndër të tjera, duke theksuar më tej se lidhur me këtë operacion u bë i mundur arrestimi i dy efektivëve të Policisë. Sipas Marës njëri prej tyre pjesë e grupit kriminal ndërsa tjetri i përfshirë në një rast korrupsioni.
“Njëri prej policëve, kishte rol në grupin e strukturuar kriminal. Jemi në fazën e dyshimeve. Ndërsa polici tjetër, kishte rolin e korruptuesit të zyrtarëve. Avokati dyshohet për 4 raste të ndikimit të paligjshëm te zyrtarë të ndryshëm, përfshirë të drejtësisë.“, tha ai.