Ish-truproja i Fatos Nanos, Viktor Agolli, ka rrëfyer detaje tronditëse nga ngjarjet e 14 shtatorit 1998, ditë kur në Tiranë u organizua një grusht shteti pas vrasjes së Azem Hajdarit.
Agolli kujton se si grupet e armatosura sulmuan institucionet shtetërore, ndërsa Garda organizoi evakuimin e krerëve të qeverisë së kohës.
“Disa dolën nga tuneli, disa kaluan gardhin. I fundit që iku ishte Edi Rama – doli nga pas ku del tek RTSH. Nano u largua drejt Dajtit, më pas në Librazhd dhe nga aty në Strugë”, tha Agolli në një intervistë televizive.
Sipas tij, për herë të parë, ish-kryeministri Nano pranoi të drejtohej nga Garda pa kundërshtime.
“I vetmi rast kur na lejoi ta komandonim ne”, tha Agolli, duke theksuar se kishte qëndruar për të ruajtur vilën së bashku me dy kolegë.
Në atë ditë të trazuar, protestuesit e udhëhequr nga Sali Berisha morën për disa orë kontrollin e Kryeministrisë, RTSH-së, Gjykatës Kushtetuese dhe ministrive të rëndësishme, ndërsa një granatë shpërtheu në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Skënder Gjinushi.