Shërbimi Meteorologjik Ushtarak ka njoftuar se ditën e Enjte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.
Sipas SHMU, orët e para të mëngjesit do të karakterizohen nga vranësira mesatare deri të dendura, ndërsa gjatë paradites dhe orëve të mesditës parashikohet mot me kthjellime dhe alternime vranësirash kalimtare. Reshje të herëpashershme me intensitet të ulët do të jenë të pranishme që prej mëngjesit, duke përfshirë një pjesë të madhe të territorit.
Në zonën veriperëndimore dhe përgjatë ultësirës perëndimore priten periudha të shkurtra reshjesh në formën e shtrëngatave. Reshjet do të vazhdojnë të jenë të pranishme me intensitet të ulët edhe në zonat malore deri në orët e vona të pasdites. Pas kësaj periudhe, pritet përmirësim i kushteve atmosferike, me mot kryesisht të kthjellët në shumicën e territorit.
Era do të fryjë nga drejtimi jugperëndimor – juglindor me një shpejtësi mesatare deri në 8 m/s, ndërsa në lugina dhe përgjatë vijës bregdetare mund të arrijë deri në 16 m/s.
Deti parashikohet me valëzim të forcës 2 deri 4 ballë.