Diana Lame, nëna e intelektualit dhe publicistit Artan Lame, ka konfirmuar këtë të premte lajmin e kobshëm se ai ka ndërruar jetë. Zemra e tij ka rrahur për herë të fundit deri mesditën e këtij 23 Maji, kur mjekët janë detyruar t’i heqin aparaturat jetike.
“Te nderuar shoke, miq dhe dashamires. Nuk me ben dora te shkruaj per humbjen e te shtrenjtit, djalit tim te dashur Artan Lame. Po ky moment i mallkuar erdhi dhe me shoi ate shprese qe mu ngjall dje”, shkruan zonja Diana Lame.
Ajo tregon momentet e fundit të të birit dhe thotë se ai i kishte premtuar se do të kthehej në Shqipëri, pasi kishin biseduar në telefon, dhe i kishte thënë se ishte i qetë e nuk i trembej operacionit.
“Shpresoja sepse me premtoi qe do kthehej, “ ….-nuk e kam mendjen te e nesermja (qe do operohej) jam mire, jam i qete por po perqendrohem te Muzeu.” Edhe nga gjumi ta zgjoje per Muzeun fliste. Kur Tanin te ma sjellin ketu do t’ju bejme te ditur procedurat e metejeshme”, shkruan ajo.
Artan Lame ka ndërruar jetë zyrtarisht mesditën e kësaj të premte, datë 23 Maj, në Mynih të Gjermanisë. Zemra e tij e madhe që kishte vend për të gjithë, ka pushuar së rrahuri përgjithmonë kur mjekët vendosën t’i hiqnin aparaturat jetike.
Prej mëngjesit të së enjtes, Lame kishte rënë në gjendje kome dhe mbahej në jetë përmes aparaturave, me shpresën se trupi do të reagonte dhe ai do ta fitonte për herë të dytë betejën për jetën. Por fatkeqësisht, këtë herë zemra e tradhtoi përgjithmonë.