Djali i një biznesmeni të njohur në Athinë është rrëmbyer dhe mbajtur peng për pesë orë, gjatë të cilave është torturuar nga rrëmbyesit.
Identiteti i të riut nuk është bërë ende publik nga mediat greke. Sipas raportimeve, autorët e kanë keqtrajtuar 24-vjeçarin në mënyrë barbare, duke i kërkuar si shpërblim për lirimin e tij 25 mijë euro, një motor dhe një orë luksoze.
Ngjarja ndodhi më 6 maj, por u bë publike vetëm më 24 maj. Gjatë rrëmbimit, i riu është dhunuar në një makinë, ku rrëmbyesit përdorën thikë dhe kaçavidë gjatë rrugës nga Hymettus drejt Saronidës. Përmes dhunës, ata e detyruan të kontaktonte miqtë për të mbledhur shumën e kërkuar.
Në një moment, rrëmbyesit tentuan t’i prisnin gishtat me një mjet prerës, por nuk arritën ta çonin në fund veprimin për shkak të rezistencës së tij.
Më pas, autorët u nisën drejt zonës së Glyfadës për të marrë një pjesë të parave, por gjatë udhëtimit 24-vjeçari arriti të shpëtonte dhe njoftoi një mik.
Sipas mediave greke, ndër personat e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë është edhe këngëtari i njohur Ivan Greko.